Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Përfaqësues të BE-së më kanë dhënë mesazhin që s’ka asnjë provë kundër meje, ftoj Blinken t’i dorëzojë në Paris të gjitha


Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje Sekretarit Amerikan të Shtetit Anthony Blinken, që t’i dorëzojë provat që ka kundër tij në Paris.

Megjithatë ai shprehet i bindur se provat për të cilat Blinken pretendon kundër tij, nuk ekzistojnë. Madje ai shton se të njëjtën gjë i kanë thënë edhe përfaqësues të vendeve të BE-së, të cilët kanë deklaruar se nuk pranojnë që t’u thuhet se “kemi prova por nuk i tregojmë”.

 “Falenderoj me mirënjohje të madhe mbarë diasporën që ka shprehur solidaritetin e saj të plotë, por unë dua të falenderoj me këtë rast edhe vendet e BE-së, të cilat me përfaqësuesit e tyre kanë hedhur poshtë në mënyrë të prerë akuzat ndaj Sali Berishës, me mesazhet e tyre të qarta. Ata janë shprehur dhe në kanalet që duhet, se ne kurrë nuk mund të pranojmë që të na thuhet se ne kemi prova por nuk i tregojmë. Se ne këtë akt e shohim si një përpjekje jashtëzakonisht të dëmshme për të ndihmuar qeverinë shqiptare dhe për të shkatërruar opozitën shqiptare, se përfaqësues kryesor nga këto vende më kanë përcjellë mesazhin e qartë se dosja e Sali Berishës nuk ka asnjë provë, asnjë fakt, asnjë argument.

Të njëjtën gjë fakton edhe përgjigja që DASH i kthen kongresmenit Lee Zeldin, të cilit unë i jam shumë shumë mirënjohës për kërkesën e tij për transparencë. Sikundër ftoj Sekretarin Amerikan të Shtetit, që çdo provë, dokument, çfarëdo që të ketë qeveria e tij apo çdo qeveri në botë ta dorëzojë në Gjykatë në Paris dhe të ballafaqohemi haptas. Por ju garantoj se ska, s’ka e s’do ketë kurrë. Është fund e krye shpifje”- deklaroi Berisha.