Vendosni fjalën kyçe....

Berisha mban Foltoren e radhës në Has: Të rreshtuar të gjithë në mbështetje të këtij zgjimi të ri që synon rikthimin e pluralizmit dhe rithemelimin e PD-së


Ish-kryeministri Sali Berisha sot mban Foltoren e radhës në qytetin e Hasit. Ai ka publikuar disa foto dhe video nga vizita e tij në Has, ku shihet krah mbështetësve të tij demokratë, ndërsa ka publikuar edhe një video nga pritja që i është bërë.

 “Mirënjohje demokratëve të Hasit, Kukësit e Tropojës për pritjen entuziaste!

Miq, ju ftoj të ndiqni deklaratën time para nisjes së takimit me delegatët dhe strukturat e PD-së në Has. Së bashku për një Parti Demokratike me të bashkuar, më të fortë, më të hapur.”- shkruan Berisha.

Berisha gjatë një prononcimi për media vlerësoi demokratët e Hasit, Kukësit dhe Tropojës, për kontributin e dhënë për Partinë Demokratike dhe për çështjen kombëtare.

“Në Shqipëri dhe në çdo vend të botës dhe të Evropës shpreh mirënjohjen e pakufishme ndaj jush për mbështetjen që i keni dhënë Partisë Demokratike në 30 vite. Për atdhetarinë, burrërinë dhe trimërinë të bijve dhe bijave të Hasit, të cilët në çdo kohë kanë qenë të parët për çështjen kombëtare.

Sot dega e Partisë Demokratike në Has dhe kryetari i saj janë rreshtuar të gjithë në mbështetje të kësaj lëvizjeje, të këtij dhjetori të ri, të këtij zgjimi të ri që synon rikthimin e pluralizmit, rithemelimin e PD-së dhe rikthimin e dinjitetit kombëtar të shqiptarëve”- tha Berisha.

Në mbështetje të tij ka dalë dhe deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Kukësit, Isuf Çelaj, i cili është fotografuar në krah të Berishës në ambientet e një lokali.

Ndërsa publikon disa foto nga vizita, Berisha shkruan: “Një kafe dhe bisedë me miq, demokrate dhe demokratë të Hasit! Të dashur miq, sot zhvillova një takim me Kryetarin e Degës së PD-së në Has, z. Miftar Dauti, Sekretaren e degës, zj. Nazlie Laçi, Kryetaren e LDG Has, zj. Flutura Aliaj si dhe me kryesinë e delegatët e zonës. Në takim u diskutua mbi krizën që po kalon Partia Demokratike si dhe u shpreh mbeshtetje e fortë për Foltoren: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur. Rreth 85% e delegatëve të Kuvendit Kombetar të Hasit kanë firmosur formularin me kërkesën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit.  Mirënjohje të thellë për demokratet dhe demokratët hasjanë! Rrofte Hasi.”