Vendosni fjalën kyçe....

Kina çon Ukrainën në Gjykatën e Arbitrazhit në Hagë, i kërkon 4.5 miliardë dollarë


Kievi përballet me një dënim financiar deri në 4.5 miliardë dollarë, pasi një grup investitorësh kinezë ngritën padi kundër vendit për shkeljen e marrëveshjes dypalëshe të investimeve Kinë-Ukrainë.

‘Beijing Skyrizon Aviation’, së bashku me disa investitorë të tjerë kinezë, ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën e Arbitrazhit në Hagë.

Paditësit kanë kërkuar kompensim për trajtimin e padrejtë të investitorëve kinezë nga ana e Ukrainës, gjë që ka rezultuar në humbje të konsiderueshme si në Ukrainë ashtu edhe në Kinë, njoftoi kompania ‘Skyrizon’ në një postim në ËeChat.

Investitorët kinezë pretendojnë se autoritetet ukrainase kanë zbatuar vazhdimisht masa të paligjshme kundër kompanisë dhe thonë se janë të gatshëm të përdorin të gjitha mjetet e mundshme ligjore për të mbrojtur të drejtat e tyre legjitime.

Në vitin 2016, ‘Skyrizon’ ofroi blerjen 56% të aksioneve të kompanisë ‘Motor Sich’ me bazë në Zaporizhzhia, një nga prodhuesit kryesorë të motorëve në botë për aeroplanë dhe helikopterë. Marrëveshja kishte për qëllim të ndihmonte Kinën të mbushte një boshllëk në prodhimin e motorëve të avionëve dhe që Ukraina të rifillonte prodhimin e saj.

‘Beijing Skyrizon Aviation’ thuhet se kishte rënë dakord të investonte 250 milionë dollarë në uzinat e Ukrainës dhe të ngrinte një fabrikë montimi dhe shërbimi në komunën jugperëndimore kineze të Chongqing.

Në fillim të vitit 2018, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës nisi një hetim penal ndaj ‘Motor Sich’ mbi pretendimet se pajisjet e ndërmarrjes ishin eksportuar në Kinë. Tregtimi i aksioneve të ‘Motor Sich’ në bursën e Ukrainës u ndërpre dhe regjistri i aksionerëve u sekuestrua. Si rezultat, marrëveshja e rënë dakord më parë nuk u realizua.

Në janar 2021, Kievi vendosi sanksione kundër investitorëve kinezë. Dënimet përfshinin bllokimin e aseteve, reduktimin e operacioneve tregtare, përfundimin e pjesshëm ose të plotë të tranzitit të burimeve, si dhe fluturimet dhe transportin përmes territorit të Ukrainës.

Në mars, një gjykatë në Kiev sekuestroi të gjitha asetet dhe të gjitha aksionet e kompanisë së hapësirës ajrore. Kompania thuhet se iu transferua një organi qeveritar përgjegjës për administrimin e aseteve të përfituara nga korrupsioni dhe krime të tjera. Më vonë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkroi një urdhëresë për shtetëzimin e ‘Motor Sich’.

Sipas një deklarate të lëshuar nga ‘Skyrizon’ e Kinës në janar, sipërmarrja u privua në mënyrë të paligjshme nga të drejtat ligjore si aksionere e ‘Motor Sich’ dhe si rezultat pësoi një humbje të madhe ekonomike menjëherë pas vendosjes së sanksioneve.