Vendosni fjalën kyçe....

Rama kujton tërmetin e 26 Nëntorit: Tragjeditë sprovojnë njerëzit, jemi ngritur më të fortë


Në dy vjetorin e tragjedisë, kryeministri Edi Rama ka përkujtuar tërmetin e 26 nëntorit, që shkaktoi 51 viktima dhe la të pastrehë mijëra njerëz.

Ndërsa e cilëson si një nga fatkeqësitë më të mëdha të vendit, Rama shkruan se sot jemi ngritur më të fortë.

Rama premton se do të vijojnë të punojnë për të kthyer edhe familjen e fundit në një shtëpi më të mirë.

“Mirëmëngjes! Tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu, mund të themi pa ndroje se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar, për faktin se mijëra familje të goditura prej asaj fatkeqësie sot janë më mirë se sa përpara goditjes prej saj.

Kujtoj me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur dhe mbetem mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë, që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia, që punuan e punojnë pa pushim për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur.”- shkruan Rama.