Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen 6 persona në Tiranë, mes tyre 3 punonjës të OSHEE-së, sekuestrohet municion luftarak


Policia e Tiranës në kuadër të operacionit policor të koduar “VIJIMI”, ka arrestuar  6 shtetas, 3 prej tyre punonjës të OSHEE-së, si dhe shpallen në kërkim dy të tjerë.

Policia arrestoi në flagrancë shtetasit:

M. K., 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë, i dyshuar për veprën penale “Vjedhje e energjisë elektrike kryer në bashkëpunim” dhe “Trafikimi i armëve dhe municioneve”;

B. B., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhje e energjisë elektrike kryer në bashkëpunim” dhe “Ndërtim i paligjshëm”;

E. M., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Si dhe u ndaluan shtetasit:

– E. D., 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shef grupi Operativ OSHEE;

– A. Sh., 41 vjeç, banues në Tiranë me detyrë Shef grupi Operativ OSHEE;

– P. D., 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Shef Ekipi Operativ OSHEE. Të tre të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ndërkohë, u shpallën në kërkim policor shtetasit:

– E. K., 32 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”;

– H.K., 65 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka kryer kontrolle në disa banesa, dhe gjatë kontrollit kanë konstatuar se:

Në banesën e shtetasit E.K., dhe M.K., janë gjetur disa sende të kundraligjshme si peshore që shërbente për shpërndarjen e lëndës narkotike dhe municion luftarak.

Njëkohësisht në banesën e shtetasit B. B., u konstatua se po kryente një ndërtim të paligjshëm.

Gjatë kontrollit të kryer në një ambient bodrum, në pjesën e pasme të ndërtesës së pallatit ku ndodheshin apartamentet e shtetasve të lartpërmendur, u konstatua një lidhje e paligjshme energjie elektrike, e cila nëpërmjet një kabulli kalonte në drejtim të banesës ku banonin shtetasit M. K., dhe B. B.

Këta shtetas kanë bashkëpunuar në vjedhjen e energjisë elektrike me shtetasin E.K.,dhe H.K., ndërsa shtetasi E. M., ka pasur dijeni mbi vjedhjen e energjisë elektrike dhe nuk e ka kallëzuar në organet ligjzbatuese.

Ndërkohë, nga hetimet rezultoi se lidhur me rastin e vjedhjes së energjisë elektrike, kanë shpërdoruar detyrën punonjësit e OSHEE-së E. D., A. S., dhe P. D., me detyrë shef grupi operativ në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.

Vijon puna për kapjen e autorëve të shpallur në kërkim, dhe për dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.