Vendosni fjalën kyçe....

Naftëtarët e Ballshit përsëri në protestë: Nuk do lejojmë demontimin e rafinerisë pa na likuiduar


Pas afro 2 javësh që qeveria miratoi një vendim për akordimin e një page për 2 vite me radhë, naftëtarët e Uzinës së Ballshit këtë të Premte zhvilluar sërish një protestë.

Ata janë mbledhur në ambientet e jashtme të rafinerisë dhe kërkojnë të mos bëhet demontimi i saj.

Naftëtarët deklarojnë se qeveria u premtoi rikthimin e uzinës në punë dhe ndërkohë një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë.

Naftëtarët u ngritën të protestonin në momentet që u panë lëvizje të kamionëve në zonë me synim demontimin e uzinës. Kjo gjë u konfirmua edhe nga kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj.

Ai u shpreh se nuk do lejojnë që rafineria të shkojë për skrap, pa u likuiduar para të gjithë naftëtarët.

“Në buxhetin e ri u miratua mbështetje financiare për naftëtarët. Por se dimë se kur do të hyjë në fuqi vendimi. Kemi qenë për një marrëveshje që rafineria të fillojë punë dhe jo të përfundojë për skrap. Kush e ka ndarë mendjen që kjo rafineri do të shkojë për skrap, e ka gabim. Nëse rafineria është për skrap, s’ka palë të dyta dhe të treta, palë e parë janë naftëtarët.

S’ka për të hyrë askush këtu, nëse nuk likuidohemi, nuk do të lejojmë, pasi do të kalojnë mbi trupa tanë. Boll u tallën. Nëse duan që palët të zhdukin gjurmët e krimit, ne s’do të lejojmë deri sa të likuidohet dhe naftëtari i fundit. Kjo rafineri do të bëhet skrap nga naftëtarët, dhe nga askush tjetër, nëse do shkojë deri aty.” –tha kreu i sindikatës Sokol Dautaj.

Naftëtarët janë shprehur se nuk do të lejojnë që kjo pasuri të demontohet por duan që të nisë puna.