Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllja e shtëpisë së fëmijës në Vlorë: Nëse të miturit nuk sistemohen në familje, do kthehen sërish


Ministrja e Shëndetësisë ka pohuar se projekti pilot për shtëpinë e fëmijës së Vlorës synon që fëmijët të rriten në mjedis familjar kur është e mundur e në rast se kjo nuk ndodh ata do kthehen sërish në qendrat e fëmijëve.

Deklarata e saj erdhi pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur një audit në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me projektin në fjalë, që ka çuar në mbylljen  e shtëpisë së fëmijës në qytetin bregdetar deri në dhjetor. KLSH-ja do verifikojë formën dhe mënyrën e zhvillimit të këtij projekti pilot.

Në shtëpinë e fëmijës në Vlorë jetojnë 13 fëmijë të moshave 0-5 vjeç të cilët janë dhunuar nga familjet e tyre biologjike. Sipas Manastirliut, këta fëmijë do provohen të kthehen në familjet biologjike ose të birësohen në mënyrë të përshpejtuar, në të kundërt do kthehen sërish në qendër.

“Plani kombëtar për deinstitucionalizmin synon që çdo fëmijë të ketë një familje. Kur kjo nuk është e mundur, patjetër që janë institucionet tona që do të presin, trajtojnë dhe të përmbushin çdo nevojë që fëmija ka. Qendrat rezidenciale do të vijojnë të qëndrojnë dhe do të transformohen, duke u fuqizuar dhe duke shtuar shërbime të reja, duke i sjellë më afër fëmijëve por edhe familjeve.Qëllimi ynë primar është parandalimi i ndarjes së fëmijës nga familja, ndaj fokusi është fuqizimi i bërthamës familjare, përmes mbështetjes në një aspekt shumë planësh, nga mbështetja ekonomike tek ajo sociale. Gjithashtu ofrimi i kujdesit alternativ profesional nëpërmjet shërbimeve të menaxhuara nga strukturat në nivel vendor dhe qendror, si dhe krijimit të rrjetit të familjeve kujdestare, mbetet një tjetër objektiv që po adresojmë në këtë plan.” – tha ministrja Manastirliu