Vendosni fjalën kyçe....

A do përjashtohet Berisha nga partia? Basha: Vijat e kuqe nuk i vendos unë por statuti, detyra ime ta zbatoj për këdo që dëmton interesat e PD-së


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur në lidhje me situatën e brendshme në këtë forcë politike dhe mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të thirrur prej tij më 18 dhjetor.

Në një interviste për ABC, Basha u shpreh se aksioni i Foltores i ish-kryeministrit Sali Berisha dëshmoi se nuk ka të bëjë fare me demokracinë e brendshme të partisë, por me interesat personale të këtij të fundit.

I pyetur në lidhje me një përjashtim të mundshëm të Berishës, Basha theksoi se vijat e kuqe në Partinë Demokratike nuk i vendos ai, por i vendos statuti dhe se është detyra e tij që të zbatojë statutin.

 “A do ta përdorni ju nenin 27 ndaj Sali Berishës, apo kujtdo që organizon një Kuvend në datën 11 dhjetor?”– ishte pyetja për Bashën.

Ky nen përfshin marrjen e masave disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve ku përfshihen: paralajmërimi, pezullimi e deri tek
përjashtimi. 

Kryedemokrati Basha në përgjigjen e tij, la të kuptohet se zbatimi i statutit mund të përfshijë dhe zbatimin e këtij neni, për cilindo që dëmton interesat politike dhe elektorale të Partisë Demokratike.

“Një herë duhet të jemi të hapur e të vërtetë jo vetëm me demokratët, por me të gjithë shqiptarët, sepse fatet e Partisë Demokratike janë të lidhura me fatet e shqiptarëve dhe fatet e shqiptarëve sot më shumë se kurrë janë të lidhura me fatet e Partisë Demokratike.

Kjo nuk është një parullë. Besoj është e qartë për këdo që kërkon shpëtim ekonomik, social, mendor, shpirtëror që nuk ka asnjë forcë tjetër, asnjë alternativë tjetër bindëse për të larguar shkaktarin kryesor të krizës së gjithanshme që po përjeton Shqipëria, përveç Partisë Demokratike.

E pra, është fakt që Partia Demokratike ka nisur një aksion opozitar, me një front të gjerë dhe me iniciativa jashtëzakonisht të rëndësishme, siç janë iniciativat për ndryshimet kushtetuese, për komisionet hetimore për zgjedhjet, për inceneratorët, për çështjen Bechetti, që prekin drejtpërdrejtë çështjen e demokracisë në vend dhe rikthimin e Shqipërisë në shinat e demokracisë që është premtimi kryesor dhe arsyeja e vetme pse Partia Demokratike, forcën që qytetarët na dhanë më 25 prill, përveç masakrës zgjedhore, prapë se prapë po e përdorim në Parlament për  të rikthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë, por edhe në përditshmëri.

Se në përditshmërinë e shqiptarëve, problemi kryesor, pavarësisht prej zallamahisë që përpiqen të krijojnë faktorë të tjerë, është buka e gojës, është punësimi, është shëndeti, është arsimimi i familjeve të tyre, i fëmijëve të tyre.

Dhe në këtë kuadër, ne kemi përparuar në të gjithë frontin, duke përfshirë dhe propozimin tonë për uljen e TVSH-së për shportën ushqimore.

Këtij aksioni i është mbivendosur një tjetër aksion, zanafilla i të cilit është vendimi i Shteteve të Bashkuara për ta shpallur Sali Berishën non grata.

Ndaj këtij vendimi, Sali Berisha fillimisht ka mbajtur qëndrimin se nuk do të përfshij Partinë Demokratike dhe as grupin parlamentar. Pra, do të lejojë që Partia Demokratike dhe grupi parlamentar të bëjë punën për të cilën ekziston, t’i shërbejë njerëzve, t’i shërbejë shqiptarëve përmes një opozitë të fortë ballorë të pakompromis me regjimin e Edi Ramës dhe të bëjë gjithçka për të risjell Shqipërinë në shinat e legjitimitetit demokratik.

Kësaj tashmë i është mbivendosur dhe kundërvendosur përpjekja e një individi. Fillimisht përmes të ashtuquajturve “Foltore”, që u kthyen në seanca linçimi për këdo që mendon ndryshe nga Sali Berisha dhe nuk është i gatshëm të sakrifikojë interesa e Partisë Demokratike për interesat e një individi  dhe kulmoi me të kundërtën e asaj që premtoi.

Premtoi demokraci të brendshme, premtoi zbatimin e statutit dhe për fat të keq, siç e patë vetë para disa ditësh, bëri të kundërtën dhe unë e di që edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë janë jashtëzakonisht të mërzitur me faktin se ajo  që nisi si një demokraci e brendshme apo për statutin përfundoi përmes një blofi të tillë që në fakt është një tallje dhe një fyerje e madhe me të gjithë demokratët, përfshirë edhe ata demokratë që mund të kenë besuar fillimisht se kjo ishte një lëvizje për interesat e demokratëve.

Dhe që tani shohin një diskreditim të pamerituar edhe të vullnetit  të tyre nga shumë prej  episodeve që janë bërë publike edhe  përmes medias. Prandaj në vendimin e kryesisë zanafilla është padiskutim shpallja e Sali Berishës non grata nga Shtete e Bashkuara të Amerikës por Kuvendi i 18 dhjetorit, Kuvendi i Partisë Demokratike nuk ka në agjendë një vendim tashmë të marrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nuk ka në agjendë as vendimet e marra në përputhje të plotë me statutin dhe me rregullat e Partisë Demokratike të diktuara nga ky vendim i qeverisë amerikane, partnerit tonë strategjik me të cilin kemi rrëzuar komunizmin, me të cilin kemi ardhur në pushtet, bashkë me të cilin kemi luftuar krimin e organizuar korrupsionin dhe më të cilin kemi futur Shqipërinë në NATO.

Me të cilin kemi bashkëpunuar për pavarësinë e Kosovës, kemi ndërtuar infrastrukturat më moderne dhe me të cilin do të ecim nesër krah për krah për të plotësuar aspiratat e tjera të shqiptarëve, ekonominë, mirëqenien, punësimet, investimet dhe padiskutim anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian pasi të kemi larguar këtë regjim.

Të gjitha këto pra janë tema të cilat do të diskutohen në Kuvendin e demokratëve dhe në Kuvendin për demokratët që është Kuvendi i datës 18.

Sa i takon vijave të kuqe. Vija e kuqe nuk i caktoj unë, i cakton statuti. Është detyrimi i çdo demokrati dhe padiskutim është detyrimi i kryetarit të Partisë Demokratike ta zbatojë statutin në veçanti nëse dëmtohen interesat politike dhe elektorale të Parisë Demokratike.

Pra, në qoftë se kemi jo thjesht një retorikë përçarëse, denigruese ndaj demokratëve, veprime të cilat shfokusojnë aksionin politik të partisë Demokratike kundër regjimit, që nga komisionet hetimore te amendamentet kushtetuese, veprime të cilat i bien ndesh interesave elektorale, afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë Partisë Demokratike dhe në qoftë se këto kulmojnë pastaj me veprime të tjera antistatutore dhe që dëmtojnë interesat politike të Partisë Demokratike, përpjekje për përçarje të Partisë Demokratike dhe jo vetëm kaq, por për angazhimin në këtë proces të  faktorëve të krimit të organizuar që Partia Demokratike dhe demokratët i kanë patur përballë me 25 prill sepse janë dhe mbeten ushtarët e Edi Ramës të cilëve Edi Rama u ka shkelur syrin për t’i futur nën flamurin e Sali Berishës në një betejë për interesa personale.

Në këtë pikë padiskutim që nuk është më çështje a do të veprohet apo jo statuti, është detyrim politik, është  përgjegjësi dhe detyrim politik i çdo demokrati e jo më i kryetarit të partisë që statuti të zbatohet. E kundërta do të ishte papërgjegjshmëri me fatin dhe sakrificat e demokratëve.”- është përgjigja e Bashës.