Vendosni fjalën kyçe....

Lukashenko kërcënon BE-në se do bllokojë furnizimin me gaz: Nëse vendosni sanksione, do përgjigjemi


Udhëheqësi i Bjellorusisë ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimin me gaz në Evropë nëse vendosen sanksione pas krizës së përshkallëzuar të emigrantëve në kufirin e vendit.

Mijëra njerëz ndodhen në kufirin me Poloninë, ku po përballojnë kushtet e vështira të motit të ftohtë, me shpresën për të kaluar në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Bjellorusinë për provokimin e krizës për të minuar sigurinë e BE-së, një akuzë që presidenti Alexander Lukashenko e mohon.

Ndërkohë, BE thuhet se po përgatit një paketë sanksionesh të reja.

 “Nëse ata vendosin sanksione shtesë ndaj nesh… ne duhet të përgjigjemi.”– tha të enjten Lukashenko, citon BBC. “Ne po ngrohim Evropën dhe ata po na kërcënojnë. Dhe po sikur të ndalojmë furnizimet me gaz natyror?”– shtoi ai. “Unë do të rekomandoja që udhëheqja polake, lituanezët dhe të tjerët të mendojnë përpara se të flasin.”

Tregu evropian i gazit, ku çmimet kanë arritur nivele rekord në javët e fundit, do të ishte shumë i ndjeshëm ndaj çdo ndërprerjeje të rrjedhës së gazit përmes tubacionit Yamal që kalon nga Rusia, nëpërmjet Bjellorusisë, në rrugën për në Poloni dhe Gjermani.