Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti tragjik te “21 dhjetori”, Policia: Brenda makinës së të plagosurit u gjetën pushkë dhe municione


Policia e Shtetit ka publikuar informacionet lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në Tiranë, ku pas një aksidenti në zonën e 21 Dhjetorit humbi jetën polici i Burgjeve, Luan Cenollari.

Në njoftimin e policisë thuhet se drejtuesi i mjetit tjetër, 30-vjeçari Emirjan Doko, është arrestuar në ambientet e spitalit, ku ndodhet në gjendje të rëndë.

Në makinën e tij u gjetën armë dhe municione. Nga aksidenti, ka humbur jetën edhe pasagjeri në mjetin e drejtuar nga Cenollari, 59-vjeçari Ali Bejo.

Njoftimi i policisë:
Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në përfundim të veprimeve për aksidentin e ndodhur mëngjesin e sotëm, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. D., 30 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugore’’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ky shtetas, më datë 11.11.2021, rreth orës 03:20, në kryqëzimin “21 Dhjetori”, duke drejtuar mjetin “Citroen” është përfshirë në një aksident me mjetin “Honda” me drejtues shtetasin L. C., 58 vjeç. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje pasagjeri në mjetin “Honda”, shtetasi A. B., 59 vjeç, ndërsa drejtuesi, shtetasi L. C. ka ndërruar jetë në spital. Drejtuesi i mjetit “Citroen”, shtetasi E. D., ndodhet në spital, në gjendje të rëndë.

Gjatë kontrollit të mjetit që drejtonte shtetasi E. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pushkë, ndërsa gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu një armë e ftohtë (thikë).