Vendosni fjalën kyçe....

Organizata europiane e Unioni i Grave PPE thirrje Bashës: Respekto statutet, ndërprit menjëherë ndërhyrjet e pakuptimta e të dëmshme


Organizata Rinore e qendrës së djathtë, EDS (European Democrat Students) dhe Lidhja e Grave të Partive Popullore Europiane kanë shprehur shqetësimin lidhur me procesin e nisur nga kreu i PD-së, Basha, për zgjedhje në Forumin Rinor të PD-së dhe në Lidhjen Demokrtatike të Gruas.

Në një deklaratë në faqen zyrtare në Facebook, EDS i bën thirrje kryedemeokratit Basha që të ndërpresë menjëherë thirrjen e tij të pabazuar në lidhje me zgjedhjet në FRPD.

Në qëndrimin e EDS-së theksohet se FRPD është organizatë e pavarur sipas statutit dhe se sigurimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme aty janë jetike për të ardhmen e partneritetit.

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga lajmet që vijnë nga Shqipëria. I bëjmë thirrje Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që të ndërpresë menjëherë thirrjen e tij të pabazuar në lidhje me zgjedhjet në organizatën tonë anëtare, FRPD Albania. FRPD është një organizatë e pavarur me statut dhe është jetike për ne si organizatë që të kemi partnerë të cilët lejohen të jenë të lirë dhe të vendosin vetë proceset e tyre. Sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në FRPD, është jetik për të ardhmen e partneritetit tonë. Forumi Rinor i Partisë Demokratike.” – thuhet në reagimin e EDS-së.

E njëjta thirrje vjen edhe nga Unioni i Grave të PPE-së, kryetare e të cilit është ish-eurodeputetja Doris Pack. Ajo i bën thirrje Bashës që të respektojë statusin e LDG-së e të përmbahet nga çdo ndërhyrje e pakuptimtë dhe e dëmshme.

“Si Kryetare e Gruas së PPE-së i bëj thirrje Presidentit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, të respektojë statutin e Lidhjes së Grave të PD-së dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje e pakuptimtë dhe e dëmshme.” – shkruan Pack në Twitter.