Vendosni fjalën kyçe....

Të shtënat me armë tronditën Kamzën, arrestohen dy adoleshentët


Dy adoleshentë janë arrestuar nga policia pasi akuzohen se kanë shqetësuar banorët e Kamzës duke qëlluar me armë zjarri në ajër në orët e vona të natës.

Gjatë operacionit të koduar “Adoleshentët”, 16-vjeçari me inicialet M. K. është kapur në flagrancë duke qarkulluar me një pushkë me një krehër me 20 fishekë, së bashku me 18-vjeçarin me inicialet, E. K. Ndërkohë, pas një kontrolli në banesën e këtij të fundit, punonjësit e policisë gjetën edhe një armë zjarri pistoletë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Qarkullonin me armë zjarri me vete, qëllonin në ajër në orët e vona të natës, duke u kthyer në shqetësim dhe rrezik për banorët, falë ndërhyrjes në kohë e me profesionalizëm nga Policia, gjatë operacionit policor të koduar “Adoleshentët”, u kapën dhe u vunë në pranga dy adoleshentët, pa shkaktuar probleme.

Sekuestrohen dy armë zjarri (pushkë dhe pistoletë).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.5 kanë marrë informacione se dy adoleshentë qarkullonin me një armë zjarri me vete dhe qëllonin në ajër, në urën e lumit Çekrez, duke u kthyer në shqetësim dhe rrezik për banorët.

Menjëherë, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Adoleshentët”, në kuadër të të cilit, falë profesionalizmit të punonjësve të Policisë, u bë i mundur lokalizmi, kapja dhe arrestimi, pa shkaktuar probleme, i shtetasve:

K., 18 vjeç, banues në Kamzë dhe M. K., 16 vjeç banues në Kamzë, i arrestuar dhe i proceduar disa herë për vjedhje, armëmbajtje pa leje dhe dhunë në familje.

Gjatë operacionit, shtetasi M. K. është kapur në flagrancë duke qarkulluar me një armë zjarri pushkë me një krehër me 20 fishekë, së bashku me shtetasin E. K.

Shërbimet e Policisë, pas kontrollit në banesën e shtetasit E. K., gjetën dhe sekuestruan edhe një armë zjarri pistoletë.

Materialet hetimore i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.