Vendosni fjalën kyçe....

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut/ Atmosferë e qetë, vetëm disa probleme teknike me sistemin e ri biometrik


Sot po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ka një atmosferë të qetë dhe pa incidente por me disa probleme teknike në disa vendvotimet që kryesisht kanë të bëjnë me votimin që po zhvillohet me sistemin e ri biometrik, identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave.

“Arsyet ku ka pasur ndërprerje kanë të bëjnë me mungesën e sinjalin për aktivizimin e aparati biometrik. Në disa vendvotime kishte ndërprerje më shumë se një orë ndërsa votimi ka vazhduar me metodën e vjetër deri në vënien në përdorim të aparateve biometrik.”- ka deklaruar kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Aleksandar Dashtevski.

Janë 9 vendvotime tek të cilat ka pasur ndërprerje konkretisht ka filluar votimi me vonesë, dhe kjo vonesë ka qenë më tepër se një orë.

Tek këto vendvotime do të vazhdojë procesi i votimit për aq kohë sa ka zgjatur ndërprerja.

Dashtevski tha se deri në orën 11:00 në votime kanë dalë 14.18 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja më e lartë në votime është në komunat Rankovce (38.2%) ndërsa më e ulët në Saraj të Shkupit 5.19 për qind.

Në raundin e dytë do të votohet në 44 komuna nga 80 gjithsej që ka Maqedonia e Veriut, si dhe për kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.

LSDM-ja garon në 30 komuna, VMRO DPMNE-ja në 25, BDI-ja në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.

Kujtojmë se në raundin e parë të zhvilluar më 17 tetor, janë zgjedhur 34 kryetarë të komunave, si dhe asambletë komunale të të gjitha 80 komunave.