Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu viziton Pediatrinë e re të Elbasanit: Ndër standardet më të mira


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka vizituar sot Pediatrinë në Spitalin e Elbasanit, e cila po rehabilitohet.

Gjatë fjalës së saj, Manastirliu u shpreh se ky investim do të rrisë kapacitetet e shërbimit për fëmijët dhe se çdo pajisje e nevojshme do të jetë në spital.

“Ky investim do të rrisë kapacitetet e shërbimit për fëmijët, pasi do të përfshijmë logopedinë, do të përmirësojmë standardet, do të kemi gjithë shërbimet e urgjencës dhe pavioneve sipas specialiteteve. Nga ana tjetër është e rëndësishme me përfundimin e shtrirjes së shërbimit të laboratorit, në të gjitha spitalet rajonale do të kemi një standard të certifikuar laboratorik. Nga pikëpamja e imazherisë, çdo gjë është e plotësuar. Ne e kemi realizuar rezonancën, skanerin, grafia e re që do të vijë, ekot, pra çdo pajisje do të jetë në spital.”-tha Manastirliu.

Sipas ministres, në spitalet rajonale ofrohen sot standardet më të mira të shërbimit për nënën dhe fëmijët: “Është besoj një ndër standardet më të mira, që vjen duke u përmirësuar vit pas viti. Pas Pediatrisë së Durrësit, edhe në Elbasan po përfundon, në Berat, e shumë investime të tjera në kuadër të investimeve për nënën dhe fëmijën po vijojnë, edhe pse në një kohë të vështirë të pandemisë.”