Vendosni fjalën kyçe....

Policia i kontrollon makinën te kthesa e Fushë-Prezës dhe i gjen një sasi droge, arrestohet 32-vjeçari


Një 32-vjeçar është arrestuar sot nga Policia e Tiranës, pasi gjatë një kontrolli në makinë atij i është gjetur një sasi prej më shumë se 4 kilogramë kanabis.

Shërbimet e Policisë e kanë lokalizuar dhe ndaluar mjetin me drejtues shtetasin me inicialet A. S. në vendin e quajtur “Kthesa e Fushë-Prezës”. Në mjet u gjetën dhe sekuestruan 4 kilogramë e 100 gramë kanabis.

Çfarë thotë Policia?

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 4 kilogramë e 100 gramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis, vihet në pranga poseduesi.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me automjet dhe posedonte lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe në vendin e quajtur “Kthesa e Fushë-Prezës” kanë lokalizuar dhe ndaluar mjetin me drejtues shtetasin A. S.

Gjatë kontrollit të mjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 4 kilogramë e 100 gramë lëndë narkotike të dyshuar kanabis, sëbashku me automjetin dhe dy aparate celular.

Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” të shtetasit A. S., 32 vjeç, banues në Kamzë, dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.