Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Ibrahimaj: Ndërhyrja 200 milionë euro në sektorin energjitik do bëhet me Akt Normativ


Ministrja e Financave Ibrahimaj ka thënë sot se ndërhyrja prej 200 milionë eurosh në sektorin energjitik do bëhet nëpërmjet një Akti Normativ.

Ajo ishte e ftuar në rubrikën ‘Kjo Javë’ në News24 ku tha se shuma e ndihmës së shtetit do jetë e kushtëzuar vetëm për importet e energjisë në rastet kur vendi do ketë nevojë në varësi të gjendjes hidrike.

“Mbështetja që është anuncuar nga kryeministri pak se një javë më parë parashikohet që të arrijë në total vlerën 200 milionë euro. Kjo vlerë do të jepet për importet të energjisë elektrike dhe do të jetë e kushtëzuar me nevojat që  Shqipëria do të ketë për të importuar energji. Nuk është një krizë vetëm e çmimeve por është një krizë dhe e ofertës së energjisë elektrike dhe për këtë arsye ishte e nevojshme që ne të merrnim masa që të garantonim likuiditetin e duhur për të blerë energji pasi aty është një treg ndërkombëtar dhe gjithcka varet nga mundësia e financimit të këtyre lëvizjeve. Për këtë vit, performanca e të ardhurave ka qenë shumë e mirë dhe ne do të mundohemi që të gjejmë financimin më të lirë me qëllim që t’i kushtojë sa më pak buxhetit të shtetit kjo ndërhyrje që ne do të bëjmë. Do të bëhet nëpërmjet një akti normativ, ku do të parashikohet nga do të merren fondet për të gjetur mbështetjen e energjisë elektrike duke ruajtur normat e deficitit dhe të borxhit të cilat janë të parashikuara sipas borxhit aktual.” – tha ndër të tjera ministrja Ibrahimaj.