Kreu i komanduar i PD Enkeled Alibeaj, ka prezantuar sot krijimin e Këshillit Euroatlantik, një organ këshillimor pranë Partisë Demokratike.
Sipas Alibeajt, një nismë e tillë do ta kthejë PD në një alternativë qeverisëse për të nesërmen, si dhe për t’i dhënë Shqipërisë një të djathtë moderne.
“Sot është një ditë e rëndësishme për mua personalisht, për Partinë Demokratike , për rrugën tonë të përbashkët dhe të ardhmen e kësaj partie. Sot ,ne ndërmarrim një nismë , e cila është një hap tjetër për të garantuar ecurinë e Partisë Demokratike drejt vlerave dhe parimeve për të cilat ajo u formua dhe mbi të cilat do të vazhdojë rrugëtimin e saj politik edhe në të ardhmen. Një nismë ,e cila do t’i shërbejë Partisë Demokratike në sfidat dhe betejat politike që ajo ka përpara në funksion të një Partie më të fortë, më të sigurt dhe më të bindur drejt të ardhmes së saj. Për t’i dhënë Shqipërisë një të djathtë moderne, një forcë politike që ka në themel të saj lirinë, shtetin e së drejtës dhe demokracinë, që ka në themel të saj vlerat perëndimore dhe euroatlantike. Një Parti Demokratike pra, që do të jetë padyshim alternative qeverisëse e së nesërmes dhe për të cilën Shqipëria ka kaq shumë nevojë.
Me qëllim realizimin e objektivave tona të përbashkëta, në cilësinë e Kryetarit të Partisë Demokratike dhe kompetencave që më jep statuti i saj, kam kërkuar formimin dhe ngritjen e një organi këshillimor, i cili do të quhet Këshilli Euroatlantik pranë Partisë Demokratike”, tha Alibeaj.
Ai ka prezantuar edhe funksionin e këtij Këshilli.
“Ky këshill, do të ketë funksion këshillimor për sa i përket vendimmarrjeve, linjës dhe orientimit politik të Partisë Demokratike. Gjithashtu Këshilli dhe anëtarët e saj do të kenë autorizimin e Partisë Demokratike të shpërndajnë kudo që munden, në media, ne forume apo tavolina të ndryshme diskutimesh vlerat e Partisë Demokratike, kauzat e saj politike dhe orientimin e saj properëndimor”, tha Alibeaj.
Këshilli do përbëhet nga këta anëtarë:
Edmond Trako –Deput i PD në legjislaturën e parë
Eduard Prodani –Student i Dhjetorit, bashkethemelues i forumit rinor të PDSH
Fatos Hoxha –ish-deputet i PD 2009-2013
Gjergji Hani –ish i dënuar politik në moshën 16-vjeçare në 1985
Marcel Hila –Aktivist i degës se Partisë Demokratike Shkodër qe ne vitin 1990
Neli Demi –psikiatër, terapist
Nevila Nika – Profesoreshë, historiane, ish-drejtoreshe e Arkivit të shtetit
Omer Stringa –profesor i ekonomisë, ish-dekan i fakultetit ekonomik
Preç Zogaj –themelues i Partisë Demokratike, drejtor i gazetës së parë opozitare RD
Rushdi Keci –profesor, ish Prefekt i Tiranës
Vasil Gjika –ish deputet i PD-së ,92-96