Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Shëndetësisë: E vetmja mënyrë që mësimi të bëhet në auditore është vaksinimi


Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se vaksinimi është e vetmja mënyrë për të vijuar mësimin në auditore.

Ajo ishte sot në Durrës, ku ndoqi nga afër procesin e vaksinimit të studentëve në Kampusin e Universitetit Aleksandër Moisiu.

 “Ne të gjithë duam që të mos kemi më ndërprerje të shkollave, të mos kemi më mësime që kryheshin në mënyrë të alternuar, por ajo çfarë ne duam dhe çfarë ne synojmë është që mësimi tashmë të bëhet në auditore. E vetmja mënyrë që mësimi të vijojë normalisht, të zhvillohet në auditore, sipas programeve përkatëse të çdo universiteti dhe fakulteti, është pikërisht që të vaksinohemi.”- tha ministrja Manastirliu.

Mes të tjerash, ajo shtoi se do të intensifikohet procesi i vaksinimit, duke rritur aksesin për studentët. Manastirliu tha se edhe vetë rektorët janë të angazhuar në këtë proces: “Tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër të fushatës së vaksinimit të personave mbi 18 vjeç dhe të gjitha strukturat e shëndetësisë janë në terren. Gjatë kësaj jave ne kemi filluar bashkëpunimin me strukturat e arsimit të lartë. Ju e shihni që tashmë vetë rektorët janë të angazhuar, të gjithë stafet e tyre për të njoftuar studentët që kjo javë është javë vaksinimi. Sepse duke filluar nga java tjetër do të duhet që të paraqesin kartën e vaksinimit për vijimin e procesit normal mësimor.”