Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj flet për Krizën Energjetike: Nuk do lëmë asnjë pas, askush në Tiranë s’e mbyll ditën pa bukë


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur në një intervistë lidhur me krizën energjetike.

Duke folur për “News 24”, Veliaj vlerësoi paralajmërimet e Ramës, duke u shprehur se më mirë të thuhet e vërteta e shëmtuar, që të përgatitemi. Kryebashkiaku foli edhe për përgatitjet e tij, për të ndihmuar qytetarët në nevojë në kohë krize.

 “Së pari ne kemi një rrjet të mirë të organizuar, vullnetarësh dhe të shërbimeve sociale. Do të hapim një qendër të re në Kombinat. Qendra e vjetër u prish nga tërmeti.

Me rastin e projektit të rindërtimit, atë qendër në Kombinat po e bëjmë të bukur dhe më të madhe. Për të pasur mensën, paketa ushqimore, paketa higjienike, etj. Kemi ndërtuar edhe një rrjet të madh vullnetarësh që e provuam gjatë pandemisë.

Kështu që ajo që di të them është se nuk do të lëmë asnjë njeri pas. Unë e di që është më kollaj të rrish në onternet dhe të vësh gishtin, por pyetja është për çfarë: Që kryeministri tha të vërtetën? Mjafton të hapësh bursat dhe të shikosh se çfarë po ndodh në vendet e tjera dhe e kupton që ka thënë të vërtetën.

Mjafton të shikosh se sa është çmimi i një kontenieri. Më përpara vinte me 2 mijë euro nga Kina në Durrës, sot vjen me 8 mijë. S’ka ça bën kryeministri, kështu funksionon bota.

Pas 2 viteve ndalesë totale, janë hapur gjithë fabrikat e uzinat. Po rikthehet jeta për të kapur ritmin. Por një makinë nuk shkon nga zero në 100. Edhe ekonomia botërore do të marri kohë që të shkëputet.

E shoh te puna jonë. Te çmimi i çelikut, i betonit, i lëndëve të para që përdoren për ndërtim. Me të drejtë, bursa që citohej në gara ka lëvizur. Ta pranojmë, nuk kalon aksi i botës nga Shqipëria. Ne jemi thjesht pjesëmarrës në një ekonomi globale. S’jemi anëtarët e OPEC që të vendosim çmimin e naftës. Ne kemi kaldajat që përdorim, por nuk do rrisim çmimet për kopshtet dhe çerdhet.

Aq sa e njoh unë Edin, aq sa e njohim të gjithë, më mirë një të vërtetë të shëmtuar, se sa të zbukurojë një gënjeshtër. Edhe unë duhet të përgatitem si bashki, për mënyrën se si ngrohen çerdhet dhe kopshtet psh. Kryeministri bëri gjënë e drejtë.

Duhet të mendojmë për zgjedhje afatgjatë. Nëse qeveria do të mbrojë çmimin e energjisë për familjet, për 5-6 muaj, ose më pak, mos ndoshta mund të ndodh dhe në Tiranë, që të aplikohet dhe makina elektrike që të mos varesh nga çmimi i naftës. Mos është momenti të ndryshojmë çmimin e jetës?!

Unë besoj se ky do të jetë një moment reflektimi, jo për të bërë vetëm për të bërë këto subvencione, por edhë për solidaritet.

Këta që reagojnë prisja që të merrnin një qese dhe të ndihmonin kur ishte pandemia.

Kush bën politikë me këtë e ka gabim.

Në disa raste kam shkuar vetë në fshatra të thella kur ishte tërmeti, dhe kam çuar ushqime.  I kam parë gjatë pandemisë rrjetin tonë të vullnetarëve.

Duke sharë dhe llomotitur dhe duke vënë gishtin nga divani i Facebook-ut nuk nxjerr gjë. Ftesa ime është që ushdo që të japë një dorë të japë emrin e tij si vullnetar, që ta kontaktojmë.

Ju kujtoj, e kam gjetur bashkinë e Tiranës pa asnjë mensë sociale. Sot kemi të paktën 7, dhe 7 të tjera me kisha e xhami. Njeri pa bukë në këtë qytet nuk e mbyll ditën. Dhe kur dikush gjen dikë që ka nevojë edhe nga qytetet e tjera, kur nuk po lëmë jabanxhinjtë që të vuajnë, s’do lëmë njeri në Tiranë që të vuaj. Ndaj mos bëni cinikun, por kush do të na japë një dorë bujrum.”– tha Veliaj.