Vendosni fjalën kyçe....

Rama e konfirmon: Ardi Veliu ka dhënë dorëheqjen


Tanimë është zyrtare, kreu i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka dhënë dorëheqjen. Lajmin e ka konfirmuar vetë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “Twitter”.

“Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer.”- shkruan Rama, i cili ka publikuar edhe letrën e dorëheqjes së Numrit Një të Policisë.

Ky konfirmim vjen pasi ditën e sotme kanë qarkulluar një sërë lajmesh mbi largimin e Veliut nga detyra, por ende nuk kishte asgjë zyrtare.

Në këtë letër, Veliu shkruan se ka vendosur të japë dorëheqjen, për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve të tij.

Çfarë shkruan Veliu:

I nderuar zoti Kryeministër,

Për mua ka qenë një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit si Drejtues i Policisë së Shtetit për katër vitet e fundit në një punë sfiduese e impenjative të përditshme, shpesh larg familjes e fëmijëve që kanë sakrifikuar bashkë me mua. Jam përpjekur të jap më të mirën time dhe të forcave tona policore duke menaxhuar situata komplekse nga lufta kundër trafiqeve e drogës, krimit të organizuar e atij të rrugës, flukset e emigrantëve apo edhe tubimet shpeshherë të dhunshme.
Por në këtë moment kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve që tani janë në një moshë delikate e të cilëve iu kam munguar pafund këto katër vite.
Kjo ka qenë padyshim përvoja më e vyer e jetës sime dhe ju falënderoj për besimin, mbështetjen dhe kurajën e vazhdueshme pa të cilat nuk do kishim arritur të menaxhonim me sukses kaq shumë sfida. Mezi pres të punojmë sërish së bashku në të ardhmen në shërbim të vendit tonë e njerëzve tanë.
Me mirënjohjen më të thellë e konsideratat më të larta,

Ardi Veliu