Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi kërkon mbështetje për Shqipërinë në Forumin e Grave të PPE: Oligarkët dhe krimi kontrollojnë vendimmarrjen


Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë Albana Vokshi, mori pjesë në Forumin e Grave të Partisë Popullore Europiane (EPP Women).

Gjatë fjalës së saj, ajo ngriti çështjen e ndërhyrjes së qeverisë në zgjedhje për të deformuar vullnetin e zgjedhësve. 

“8 vjet nën qeverisjen e korruptuar të Edi Ramës, Shqipëria ka bërë hapa pas në lidhje me demokracinë dhe, shtetin ligjor, ndërsa integrimi europian ka ngecur në vend, për shkak të keqqeverisjes. Kjo ka sjellë largimin e qindra mijëra shqiptarëve, përfshirë të rinjtë dhe profesionistët më të mirë.

Në 8 vjet, kryeministri grumbulloi të gjitha pushtetet në një dorë. Ai kontrollon qeverinë, parlamentin, gjyqësorin, pushtetin lokal, një pjesë të madhe të medias dhe shoqërisë civile. Çdo pushtet që zotëron, si një autokrat në mes të Europës, Edi Rama e vuri në shërbim të karriges së tij për të marrë mandatin e tretë në mënyrë të paligjshme. Raporti i OSBE/ODIHR evidentoi shkelje të rënda, që konfirmon se shteti u vu në shërbim të PS.” – u shpreh zonja Vokshi. 

Mes të tjerash, sikurse bëhet me dije në një njoftim nga zyra e shtypit në PD, Vokshi i njohu eurodeputetet me disa pika kyçe të ndërhyrjes së qeverisë në zgjedhje.

  1. Krimi më i madh elektoral ishte nxjerrja e të dhënave personale të të gjithë votuesve. Ky operacion u drejtua nga AKSHI, agjenci nën varësinë e kryeministrit,  në bashkëpunim me të gjitha ministritë, institucionet dhe PS, që kontrollon skemën e patronazhimit. 
  2. Kryeministri dhe ministrat abuzuan me postin dhe pushtetin e tyre duke venë në dispozicion të fushatës elektorale të gjitha burimet njerëzore dhe financiare.
  3. Fondet e tërmetit, të shëndetësisë, legalizimet dhe punësimet elektorale u përdorën në mënyrë abuzive për blerjen e zgjedhjeve. 

“Këto ishin disa nga arsyet pse një ndër rekomandimet kryesore të raportit të OSBE/ODHR i i drejtohet qeverisë: qeveria të marrë rë gjitha masat për të siguruar votë të lirë e të ndershme për çdo qytetar shqiptar”.-theksoi Albana Vokshi. 

Ajo kërkoi mbështetje nga PPE, për rivendosjen e demokracisë, shtetit ligjor, ku në themel të qeverisjes të jetë vota e lirë dhe të respektohen të drejtat ligjore e kushtetuese.