Vendosni fjalën kyçe....

“Po u zgjodh Trump, mund të bëjë marrëveshje me Putinin për Ukrainën” – Presidenti çek


Presidenti çek Petr Pavel u ka kërkuar anëtarëve evropianë të NATO-s që të përgatiten për kthimin e mundshëm të ish-presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ndryshimet pasuese në strategjinë e Uashingtonit për kontinentin.

Nëse kandidati kryesor republikan fiton zgjedhjet e nëntorit, kjo mund të nënkuptojë një marrëveshje me presidentin rus Putin, paralajmëroi ai në një intervistë për radiostacionin Radiozurnal.

“Kjo nuk ka të bëjë me prishjen e lidhjes transatlantike, duke sfiduar Shtetet e Bashkuara si aleate. Por ne duhet të pranojmë realisht se Donald Trump i shikon një sërë gjërash ndryshe”, theksoi Pavel.

Nëse Trump zgjidhet në mënyrë të ligjshme, është e nevojshme të respektohet vendimi i votuesve amerikanë, “por ne duhet të jemi të përgatitur për këtë, sepse sigurisht që do ketë disa pasoja”, paralajmëroi ai.

Trump, i cili ashtu si presidenti i SHBA-së Joe Biden po kërkon një tjetër mandat në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e këtij viti, ka pohuar se konflikti ukrainas nuk do kishte shpërthyer nëse ai do kishte mbetur në pushtet.

Ai ka këmbëngulur vazhdimisht se ka një marrëdhënie të mirë si me liderët rus ashtu edhe me ata ukrainas, dhe është i pozicionuar mirë për të negociuar përfundimin e konfliktit, megjithëse ai nuk ka sqaruar se si do dukej një zgjidhje e tillë paqeje.

“Nëse unë jam president, do ta bëj që lufta të zgjidhet brenda 24 orësh”, tha ai për CNN vitin e kaluar.

Duke reaguar ndaj deklaratës, presidenti ukrainas Vladimir Zelensky tha se ishte i shqetësuar për mundësinë e kthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur pretendimin se ai mund ta ndalonte konfliktin kaq lehtë si “shumë të rrezikshëm”.

Në janar, Donald Trump junior, i cili është një lojtar i rëndësishëm në fushatën zgjedhore të babait të tij, tha se luftimet midis Rusisë dhe Ukrainës duhet të përfundojnë me bisedime dhe për të bindur qeverinë e Zelenskit për të negociuar, Uashingtoni duhet të ndalojë dërgimin e parave në Kiev.

Njoftimi erdhi pasi përpjekjet e administratës Biden për të shtyrë një paketë të sigurisë kombëtare prej 106 miliardë dollarësh, e cila përfshin 60 miliardë dollarë për Kievin, vijojnë të përballen me kundërshti të fortë nga ligjvënësit republikanë, të cilët kanë kërkuar kontrolle më të rrepta në kufirin jugor të SHBA-së në këmbim të miratimit të projektligjit.