Vendosni fjalën kyçe....

Pronar i një lokali dhe baba i 2 fëmijëve, kush është shqiptari që u qëllua në mes të Athinës


Detajet të reja janë zbuluar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e kaluar në Athinë, ku një shqiptar u ekzekutua me armë zjarri.

Sipas “Balkanweb”, që ka publikuar edhe foto të viktimës, shqiptari quhet Keli dhe është nga Tepelena. Mirëpo identiteti i plotë i tij ende nuk bëhet me dije.

39-vjeçari nga Tepelena menaxhonte një lokal në Athinë, ku shpesh herë ftonte edhe këngëtarë të njohur shqiptarë, me të cilët thuhet se kishte edhe miqësi për shkak edhe të punës që bënte.

Shqiptari që u vra ishte pronar i kafenesë ku ndodhi ngjarja dhe baba i dy fëmijëve. Sipas medieve greke: “Ky ishte një person i rëndësishëm në zonë, i cili kishte kontakte kryesisht në Agios Panteleimon. Çdo bashkatdhetar që kishte një problem shkonte tek ai dhe ishte shumë i njohur në qendër të Athinës.”

Autori e qëlloi shqiptarin ndërsa ai ishte ulur, të paktën pesë herë me dy plumba që e goditën në bark, një në kokë dhe një në shpinë. 39-vjeçari u largua i gjallë nga vendi i pritës së vrasjes dhe u transportua me ambulancë në spitalin “Evaggelismos”, megjithatë, dy orë më vonë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë.

Dëshmitarët kanë treguar për mediat se autori që shkrepi armën mbante veshur një xhaketë gri dhe se nga vendi i krimit ishte larguar me një makinë po ngjyrë gri.