Vendosni fjalën kyçe....

Vijnë ‘policët rrugorë’ inteligjentë, regjistrojnë targën e ua çojnë gjobën në shtëpi (Video)


 

Policia Rrugore është pajisur me makina ‘inteligjente’ që do monitorojë qarkullimin rrugor.

Ato do vendosen në rrugët e vendit e në rastet e shkeljeve të ndryshme ato mbajnë shënim targën e mjetit dhe i dërgon të dhënat e shkeljes në mënyrë automatike në qendrën e përpunimit të të dhënave në Drejtorinë e Policisë Rrugore.

“Kjo pajisje është në fakt teknologjia e fundit që përdoret sot në vendet perëndimore, pajisje që kap në mënyrë të pandërprerë të gjitha shkeljet që ndodhin në një segment rrugor të caktuar në 4-6 korsitë, nëse do të kemi rrugë me 6 korsi. Është një pajisje që punon në mënyrë të pavarur, ditën dhe natën, që nuk ka asnjë ndikim njerëzor apo subjektiv të gjykimit të shkeljes. Në mënyrë automatike e regjistron shkeljen dhe e çon në kohë reale në qendrën e përpunimit që ndodhet në Drejtorinë e Policisë Rrugore. Është një pajisje e cila mund të lëvizë lehtësisht në të gjitha segmentet rrugore.” – tha ministri Çuçi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se gjoba iu dërgohet shoferëve kundravajtës brenda 30 ditëve nga konstatimi përmes Postës Shqiptare.

“Kjo na e jep në video, në foto çdo drejtues automjeti, jep ‘location”, targën e mjetit, kohën reale kur ka qenë shkelja. Fotot janë me infra, janë për natën, për ditën, kap deri në gjashtë korsi. Pajisja do të jetë 24 orë aktive. Identifikimi bëhet nëpërmjet targës, gjejmë adresën e pronarit të mjetit, dhe ia dërgojmë gjobën së bashku me fotografinë e kundërvajtësit, me ditën, orën, vendin ku është konstatuar shkelja. Ne kemi detyrimin të bëjmë njoftimin me postë brenda 30 ditësh.” – tha Veliu.