Vendosni fjalën kyçe....

Meta: S’bëhem pjesë e debatit në PD, skenari për të lënë vendin pa opozitë s’do realizohet


Presidenti i vendit Ilir Meta ka folur në një dalje për mediet nga Pogradeci, lidhur me atë që e quan “skenarin” që po tentohet që vendi të lihet pa opozitë.

“Jam i bindur se nuk ka përpjekje në botë që të realizojë skenar të zi për të lënë Shqipërinë pa opozitë, skenar që luhet prej vitesh. Shqiptarët nuk do pranojnë kurrë të kthehen në modele të cilat nuk i takojnë kontinentit tonë. Shqiptarët kanë potencial të jashtëzakonshëm për të ecur përpara.”– u shpreh ai pas pyetjeve të gazetarëve lidhur me debatet brenda Partisë Demokratike me dy grupet e drejtuara nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha dhe dobësimin e opozitës.

Meta foli edhe lidhur me nismën për shkarkimin e tij nga Kuvendi, për të cilën thotë se nuk egziston asnjë çështje në Komsionin e Venecias për të, por se kjo është një çështje politike. Ai shton se nuk ndihet aspak i shqetësuar, por krenar për gjithë veprimtarinë e tij për mbrojtjen e Kushtetutës.

PYETJET DHE PËRGJIGJET
Pritet që më 14 tetor Komisioni i Venecias të japë një opinion për shkarkimin tuaj, a keni pasur kontakte me Komisionin e Venecias dhe a i druheni një shkarkimi nga Gjykata Kushtetuese?

Jam i zhgënjyer për pyetjen tuaj, pasi nuk ekziston asnjë çështje në Venecia për Presidentin. Ajo është çështje politike. Jam tepër i qetë dhe i pa shqetësuar, për sjelljet e të tjerëve. Pasi sjelljet e mia kanë qenë pro Kushtetutës. Dhe jam krenar për gjithë veprimtarinë time në mbrojtjen e Kushtetutës, e cila është sulmuar në mënyrën më armiqësore, më tradhtare nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm për të pasur Shqipërinë sot një situatë aspak të dëshirueshme, në raport edhe me BE. Kuvendi duhet të kishte çelur negociatat me kohë nëse do dëgjohej presidenti mbi zgjedhjet vendore apo Gjykatën Kushtetuese.

A mund të kemi zgjedhje?

Prej vitesh presim një vendim të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet vendore, në pikëpamjen e time është një çështje e qartë.

Sa mund të ndikojë lëvizja e zotit Berisha me ‘Foltoren’ e tij? Takimet e tij që po bën me bazën apo dhe zhvillimet në PD të cilën ju e quajtët ‘krizë’…

Nuk dua të komentoj zhvillimet e brendshme në asnjë forcë politike, duhet të kenë debatet e tyre në respektim të demokracisë dhe normave kushtetuese. Siç e keni kuptuar demokracia në këto 3 dekada, ajo ka uljet e ngritje e saj në një sistem të caktuar politik dhe shoqëror edhe brenda grupimeve politike.

S’e keni fshehur kurrë simpatinë për zotin Berisha. Po ai hedh akuza për bashkëpunim Rama-Basha. Si i shihni këto akuza?

Nuk dua të bëhem pjesë e këtyre debateve. Pas 24 korrikut vazhdimisht ato janë çështje të tyre mjaftojnë të respektojnë kushtetutën dhe parimet demokratike.

A keni parë vendin me një opozitë kaq të dobët herë tjetër?

Jam i bindur se nuk ka përpjekje në botë që të realizojë skenar të zi për të lënë Shqipërinë pa opozitë, skenar që luhet prej vitesh. Shqiptarët nuk do pranojnë kurrë të kthehen në modele të cilat nuk i takojnë kontinentit tonë. Shqiptarët kanë potencial të jashtëzakonshëm për të ecur përpara.

Sot është mengjes lutjesh. Përse lutet sot Meta?

Lutem për burimin e gjithë forcës për të cilën ka nevojë çdo njeri e grupim apo shoqëri për të kaluar me sukses vështirësitë dhe bashkëjetesën shoqërore

Si e shihni vendimin e SPAK që nuk po heton patronazhistët?

I qëndroj vlerësimeve të ‘Transparency international’ dhe nuk jam i zhgënjyer nga çdo lloj lajmi tjetër.