Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Raste si i Klodian Rashës e shembja e Teatrit nuk do përsëriten më kurrë, 7 korriku një fillim i ri


Në takimin e sotëm me të rinjtë e FRPD-së, kryetari i PD-së Sali Berisha u përsëriti atyre thirrjen për t’ju bashkuar protestës së thirrur më 7 korrik.

Gjatë fjalës së tij, ai përmendi vrasjen e të riut Klodian Rasha dhe çështje të tjera, për të cilat theksoi se nuk do të përsëriten kurrë dhe se opozita do të mbrojë çdo kauzë të drejtë në shesh.

“Dy faktorë u bënë zjarrfikës të revoltave qytetare. Faktori i parë ishte opozita, të themi të vërtetën. Nuk harroj kurrë qëndrimin e opozitës ndaj ekzekutimit në derë të shtëpisë së të riut Rasha. Në derë të shtëpisë, pas shpine, duken hyrë në shtëpinë e tij. Nuk mund të kishte forcë që të pengonte opozitën të mbushte sheshet. Janë një seri rastesh të tjera. Këto nuk do të përsëriten kurrë më. Edhe Astiri, një qëndresë qytetare heroike, 420 ditë. Mbështetje e kufizuar, e dorëzuar, e lokalizuar.

Teatri, histori turpi për opozitën, histori nderi për artistët dhe qytetarët që bënë qëndresën më të vendosur, dhe opozita nuk gjente motive për të mbrojtur një simbol kombëtar siç ishte Teatri. I them këto se, s’do përsëriten kurrë më.

Ka patur edhe një faktor tjetër.

Në disa raste ka patur grupe dhe të tjerë që nuk duan të na politizojnë. Ne nuk pyesim më për asgjë, ajo që është e drejtë… Jam këtu para jush për t’ju thënë të gjithë grupeve, organizatave e të tjera me radhë, se ne si demokratë do të dalim në shesh për çdo kauzë të drejtë. Nuk ka asgjë që na pengon. Ju jeni të mirëpritur të na bashkoheni! Nuk doni? Ne do të dalim gjithnjë.”– tha Berisha.

Ish-kryeministri beson se 7 korriku do të shënojë një fillim të ri.

“Sa herë të heshtim aq herë këto veprime do të legjitimohen. Në dorë e keni ju, e ka rinia shqiptare. Të rinjtë e Forumit Rinor, të dalin në krye të kësaj lëvizje dhe kam besim se 7 korriku shënon një fillim të ri, të madh që do të çojë PD drejt fitores së sigurtë të autokracisë elektorale. Në të gjitha Bordet kombëtare të rinjtë do të kenë zërin e tyre dhe do japin kontributin e tyre. Ne besojmë se rinia shqiptare do ta bëjë Shqipërinë.”- u shpreh kreu i PD-së.