
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i tha Reuters të premten se Irani planifikon të bëjë një ofertë që synon të përmbushë kërkesat amerikane, ndërsa pritej që bisedimet e paqes të rifillonin në Pakistan.
“Ata po bëjnë një ofertë dhe do e shohim,” tha Trump gjatë një interviste telefonike.
Trump tha se ende nuk e di se çfarë do përmbajë oferta. Ai ka qenë këmbëngulës që çdo marrëveshje të përfshijë heqjen dorë nga uraniumi i pasuruar nga Irani dhe lejimin e lirisë së trafikut të naftës përmes Hormuzit.
Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner planifikojnë të nisen të shtunën drejt kryeqytetit pakistanez Islamabad për bisedime me një delegacion iranian.
Trump të enjten kishte shprehur shqetësim për atë se kush po e udhëheq Iranin, ndërsa zyrtarët amerikanë kanë thënë se besojnë që lidershipi është i përçarë.
Të premten, kur u pyet se me kë po negocion SHBA-ja, Trump tha: “Nuk dua ta them këtë, por po merremi me njerëzit që janë aktualisht në pushtet.”
Ai refuzoi të japë emra.
Reuters raportoi më herët se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, pritej të mbërrinte në Islamabad të premten për të diskutuar propozimet për rifillimin e bisedimeve të paqes me SHBA-në, shkruan Reuters.
Trump ka këmbëngulur se ushtria amerikane do vazhdojë bllokadën ndaj porteve iraniane derisa të arrihet një marrëveshje.
Kur u pyet se çfarë nevojitet për të hequr bllokadën, Trump u përgjigj: “Do të duhet t’i përgjigjem kësaj pyetjeje më vonë. Duhet të shoh se çfarë po ofrojnë.”