Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat për punësime elektorale, Gjykata e Apelit të Shkodrës i jep të drejtë PD-së, urdhëron Prokurorinë të nisë hetimet


Gjykata e Apelit të Shkodrës ka urdhëruar Prokurorinë të nisë hetimet për akuzat e PD-së mbi punësimet masive gjatë fushatës elektorale në Bashkinë e Vaut të Dejës.

Tashmë Prokuroria e detyruar nga vendimi i gjykatës, duhet të thërrasë kryebashkiakun dhe personat përgjegjës për punësimet.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu ka dalë në një prononcim për mediat ku ka zbardhur vendimin e Gjykatës.

Ai shprehet se ka prova konkrete që e implikojnë Bashkinë e Vaut të Dejës në punësime masive për fushatë elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

“Prej dy vitesh, Partia Demokratike, Dega e Vaut të Dejës ka depozituar dhjetëra kallëzime penale pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të gjitha shkeljet flagrante dhe abuzimet që janë kryer në këto dy vite nga Bashkia e Vaut të Dejës.

Këto shkelje dhe abuzime janë intensifikuar veçanërisht në fushatën elektorale të 25 Prillit, ku punësimet masive në administratë, bursat e studentëve, paratë e taksapaguesve, ndihma ekonomike, lejet, licensat, subvensione, u përdorën të gjitha vetëm e vetëm në funksion të partisë në pushtet.

Edhe kjo është një element i qartë i asaj që ne e kemi quajtur masakrën zgjedhore të 25 Prillit. Faktikisht ne kemi pritur që Prokuroria t’i hetojë, ndëshkojë dhe sjellë para përgjegjësisë penale këta persona. Por Prokuroria e rrethit gjyqësor Shkodër, ka vepruar si një mburojë e të gjitha paligjshmërive e shkeljeve flagrante të ligjit që janë kryer nga administrata e bashkisë së Vaut të Dejës. Sot ne ishim në Gjykatën e Apelit në Shkodër, pikërisht për të kundërshtuar një vendimt të Prokurorisë që vendos pushimin dhe mosfillimin e hetimeve, thjesht dhe vetëm bazuar mbi kryerjen e asnjë lloj hetimi nga ana e tyre.

Gjykata e Apelit në Shkodër vendosi qartësisht të urdhërojë Prokurorinë që të kryejë hetime, të thërrasë personat përgjëgjës, përfshirë edhe kryetarin e bashkisë dhe të administrojë të gjithë dokumentacionin që vërtetojnë qartazi se në zgjedhjet e 25 Prillit u përdorën punësimet masive, bursat e studentëve, fondet publike dhe paratë e taksapaguesve për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe për të sjellë fitoren e PS-së në këtë bashki.”- tha Logu.

Sipas Logut, këto prova janë vetëm maja e ajsbergut e abuzimeve dhe masakrës elektorale që ka bërë PS.