Vendosni fjalën kyçe....

Gruaja shpëton 50 bulldogë francezë nga lufta në Ukrainë, merr rrugën për Poloni (FOTOT)


Historia e Olena Lukash është bërë virale në rrjet, pas publikimit të fotos në të cilën njëzet bulldogë francezë shfaqen të grumbulluar në një makinë ndërsa pronarja e tyre ukrainase largohet nga sulmet ruse në Kiev.

Madje siç shkruan Daily Mail, 53-vjeçarja u kthye përsëri në zonën e luftës për të shpëtuar edhe  30 ‘kafshë të tjera të pambrojtura’.

Olena Lukash nga Kievi tha se “nuk besonte se mund të fillonte një luftë” në vendin e saj derisa predhat ruse filluan të zbarkonin pranë shtëpisë së saj, që nga fillimi i pushtimit në Ukrainë më 24 shkurt.

Megjithatë, 53-vjeçarja shpejt e kuptoi se do t’i duhej të shpëtonte nga kërcënimi i tmerrshëm edhe ‘fëmijët e saj me katër këmbë’, pasi vendosi të largohej nga shtëpia e saj dhe të nisej për në Poloni.

Fotot tregojnë 20 nga qentë të ngjeshur në një makinë tip “Hyundai Tucson” për udhëtimin katër-ditor, me qentë të pavetëdijshëm për tmerrin që po linin pas.

Çuditërisht, pasi Olena dhe burri i saj Alexander lanë qentë në Poloni, ata u kthyen në qytetin e tyre të pushtuar nga Rusia për të shpëtuar 30 qen të tjerë dhe më pas ikën në Vinnitsa, 173 milje larg Kievit.

Lufta e nisur nga presidenti rus Vladimir Putin ka hyrë në javën e saj të katërt.

Javën e ardhshme, 53-vjeçarja nga Kievi do të përballet me të njëjtën lëvizje rraskapitëse për t’u kthyer në Poloni, por pranon se paratë po mbarojnë shpejt.

Çifti po përballet me një faturë prej 378 paundësh çdo javë vetëm për të ushqyer qentë.

Olena tha: “Qentë e mi janë fëmijët e mi. Puna ime janë qentë e mi. Këta janë të gjithë bulldogë francezë – raca ime e preferuar prej 30 vjetësh tashmë.”

“Nuk besoja se mund të fillonte një luftë. Javën e parë mendova se gjithçka do të përfundonte shpejt, më pas filluan të binin predha pranë shtëpisë sime dhe kuptova se duhej të shpëtoja fëmijët e mi me katër këmbë.

Kam marrë grupin e parë të qenve (10 qen dhe 10 këlyshë) në Poloni më 9 mars. Udhëtimi më zgjati katër ditë. Në rrugë ka shumë trafik.”-tha ajo.

Gruaja ukrainase tregon edhe peripecitë e kthimit: “Unë u ktheva në shtëpi kur fshati ynë u pushtua nga trupat ruse dhe nxorra qentë dhe këlyshët e mbetur (20 qen dhe 10 këlyshë). Tani jemi 300 km larg armiqësive, por kam në plan të marr të gjithë qentë e mi në një vend të sigurt në Evropë. I dua shumë qentë e mi. Jam gati të bëj shumë për të shpëtuar jetën e kafshëve të pambrojtura. Unë kam forcë dhe mund ta bëj këtë.”

Për momentin, Olena ndhodhet në Vinnitsa në Ukrainën qendrore me qentë e mbetur, por pretendon se atyre u duhen para për ushqim, ilaçe dhe karburant për të vazhduar misionin e tyre të shpëtimit.