Vendosni fjalën kyçe....

AMA porosi televizioneve me nisjen e sezonit të ri: Kujdes raportimet mbi Covid-19


Me nisjen e sezonit të ri Autoriteti i Mediave Audiovizive ka dhënë disa porosi për televizionet shqiptare.

Në një njoftim për mediet, AMA kujton disa parime të rëndësishme ndërsa ndalet në veçanti tek emisionet me/për fëmijë.

Për këto programe kujtohet se ato “krijojnë ndjeshmëri” tek audienca dhe se “trajtimi i fëmijëve si të rritur, apo si gjenerues të emocioneve të panevojshme në emisione, janë dukuri që duhet të shmangen, qoftë në transmetimet e drejtpërdrejta apo ato të regjistruara”.

AMA ndalet edhe në trajtimin e pandemisë së Covid-19, ku vlerësohet maksimalisht roli dhe kontributi i redaksive audiovizive në mbulimin e ngjarjeve të aktualitetit mbi pandeminë dhe trajtimin e situatës.

Të tjera porosi jepen edhe mbi mos konfuzionin, mos deformimin e rezultateve shkencore të konfirmuara, respektimin e rregullave dhe normave të gjuhës shqipe, shmangien e përdorimit të gjuhës së papërshtatshme apo deningruese në transmetimet audiovizive.

Mesazhi i AMA-s:

 Në nisje të sezonit të ri televiziv, Autoriteti i Mediave Audiovizive uron të gjithë OSHMA-të dhe stafet e tyre:

Punë të mbarë dhe suksese!

Autoriteti i Mediave Audiovizive, gjithashtu, gjen rastin të risjellë në vëmendje të OSHMA-ve detyrimet që rrjedhin nga ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Kodi i Transmetimit dhe akte të tjera nënligjore në fuqi.

AMA, do të vijojë monitorimin e transmetimeve, për zbatimin e kërkesave të këtij kuadri ligjor, apo angazhimeve që vetë OSHMA-të kanë marrë përsipër në procesin e licencimit.

Parimet mbi të cilat është ngritur ligji 97/2013 kanë të bëjnë me veprimtari audiovizive të lirë, që respekton paanshmërisht të drejtën për informim, bindjet politike e besimet fetare, personalitetin, dinjitetin dhe të drejtat e liritë e tjera themelore të njeriut. Në mënyrë të veçantë kjo veprimtari respekton të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve.

AMA në angazhimin për realizimin e detyrave funksionale si institucion rregullator, ka pasur dhe ka si prioritet mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme audiovizive.

Emisionet me/për fëmijët krijojnë ndjeshmëri tek audienca, te fëmijët, prindërit, të afërmit apo kujdestarët e tyre. Trajtimi i fëmijëve si të rritur, apo si gjenerues të emocioneve të panevojshme në emisione, janë dukuri që duhet të shmangen, qoftë në transmetimet e drejtpërdrejta apo ato të regjistruara. AMA ka mirëpritur dhe mirëpret, që edhe në këtë sezon të ri të shmanget përdorimi i fëmijëve në ekran, apo transmetimi/ritransmetimi i përmbajtjeve të papërshtatshme për moshën e tyre, në orare që ata mendohet se janë para ekranit.

Kohët e fundit në ofertën programore të televizioneve një hapësirë të konsiderueshme ka marrë edhe trajtimi i pandemisë Covid-19.

AMA ka vlerësuar dhe vlerëson maksimalisht rolin dhe kontributin e redaksive audiovizive në mbulimin e ngjarjeve të aktualitetit mbi pandeminë dhe trajtimin e situatës. Në këtë sezon të ri programor, AMA beson se OSHMA-të do të kenë parasysh kërkesat etike dhe profesionale për t’i njoftuar dhe paraqitur lajmet e transmetuara në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive.

AMA ju fton në mbajtjen parasysh të interesave të publikut, të balancës në paraqitjen e opinioneve, krijimin e hapësirave për ekspertët e mirëfilltë të fushës.

AMA si institucion rregullator ju fton po ashtu, për shmangien e fenomeneve të tilla si:

  • konfuzioni
  • deformimi i rezultateve shkencore të konfirmuara
  • zgjerimin/balancimin e paraqitjes së ideve dhe opinioneve, duke mos krijuar hapësira për zhvillimin e tryezave të debatit vetëm me individë jo ekspertë të fushës.

Autoriteti i Mediave Audiovizive gjithashtu pret nga OSHMA-të respektimin e rregullave dhe normave të gjuhës shqipe, shmangien e përdorimit të gjuhës së papërshtatshme apo deningruese në transmetimet audiovizive.

Për fillimin e këtij sezoni të ri programor audioviziv, AMA ka pritshmëri maksimale se OSHMA-të do të forcojnë edhe më shumë lirinë e shprehjes, pluralizimin dhe pavarësinë editoriale në favor të shumëllojshmërisë dhe cilësisë së produkteve mediatike për publikun.