Vendosni fjalën kyçe....

Kryetarja e AMA-s takim me kreun e AKEP-it, marrëveshje për mbylljen e faqeve të paligjshme


Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi ka bërë një vizitë në zyrat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP).

Ajo u takua me kreun e AKEP-it, Tomi Frashëri. Gjatë takimit është diskutuar, krerët e dy autoriteteve rregullatore vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe përforcimin e marrëdhënieve të dy institucioneve dhe rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

Po kështu Krasniqi e Frashëri diskutuan për hartimin e një memorandumi bashkepunimi në një kohë sa më të shpejtë për disa çështje si:

  1. Lirimin e brezit 700 MHz nga AMA dhe marrjen në administrim të këtij brezi nga AKEP, duke shkuar drejt respektimit të afateve të vendosura nga BE dhe ITU.
  2. Ngritjen e një TASK-FORCE me përfaqësues të përbashkët nga të dy institucionet me qëllim luftën kundër paligjshmërisë në rrjetet e komunikimeve elektronike dhe zhvillimin e veprimtarisë vetëm nga subjekte të liçensuara nga autoritetet rregullatore. Për këtë qëllim u vendos edhe hartimi i një kalendari të përbashkët veprimi.

Gjithashtu një fokus i posaçëm do t’i jepet monitorimeve të përbashkëta për mbylljen e aksesit në internet nga ana e sipërmarrësve të komunikimeve elektronike, të faqeve me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme, të konstatuara si të tilla nga AMA.

Do të ngrihet gjithashtu, një grup i përbashkët pune i cili do të ndjekë në vijueshmëri problemet e interferencave që raportohen nga autoritetet rregullatore të vendeve fqinjë, në zonat kufitare dhe jo vetëm.