Vendosni fjalën kyçe....

Përplasjet në Malin e Zi për kryepeshkopin serb, plagosen dhjetëra persona


Dhjetëra persona janë plagosur në protestat që u mbajtën në Mali të Zi më 5 shtator kundër ceremonisë së shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse se në Mal të Zi, Joanikije në qytetin e Cetinjes.

Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qindra protestues, disa prej të cilëve hodhën gurë, shishe dhe fishekzjarre në drejtim të policisë. Disa njerëz dogjën goma dhe u ulën në rrugë.

Zëvendësdrejtori i policisë në Mal të Zi, Dragan Goroviç, tha për televizionin shtetëror se 20 pjesëtarë të policisë janë plagosur, ndërsa një klinikë shtetërore në Cetinje tha se rreth 30 civilë kërkuan ndihmë mjekësore, raporton REL.

Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç i cilësoi sulmet ndaj policisë si terrorizëm. Ai fajësoi Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit Millo Gjukanoviq për organizimin e protestave.

Gjukanoviç, i cili kundërshtoi ceremoninë, akuzoi policinë për forcë të tepruar.

Sipas tij, në Cetinje u dëshmua “turpi i madh i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Qeverisë së Malit të Zi”.