Vendosni fjalën kyçe....

Gazetarët pyesin Ballën nëse Rama e “goditi” për fuqizimin e tij, ai qesh dhe jep përgjigje diplomatike


Pozicioni i Taulant Ballës është dukur më i sikletshmi këtë të enjte, sepse kryeministri Edi Rama vendosi ta spostojë si drejtues politik nga Elbasani drejt Fierit por nuk i dha as edhe një post ministri duke e lënë vetëm në rolin e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së.

“Të jesh kryetar i grupit parlamentar të shumicës parlamentare në mandatin e tretë është të mos jesh në pozicion të rëndësishëm politik dhe gjithashtu të drejtosh qarkun e dytë më të madh në vend ku buron pushteti i socialistëve, nuk është një pozicion politik”, tha me ironi Balla, duke theksuar kështu dy kundërargumente për këdo që mendon se kryeministri Rama e ka lënë me pozicione të parëndësishme.

“Unë ju thashë që kryetari i shumicës parlamentare në një Parlament që do të ketë përgjegjësi të mëdha, është, do ta quaja unë përgjegjësia e dytë pas kryeministrit në administrimin e duhur të besimit që na kanë dhënë qytetarët.

Unë nuk shoh në këtë vendim asnjë shmangie nga ajo që unë kam dëshirë të bëj, sepse t’ju them të drejtën unë që jam i vetmi deputet që kam kandiduar historikisht në të njëjtën zonë zgjedhore dhe kjo është një lidhje e fortë mes të zgjedhurit dhe atyre që zgjedhin.”, u shpreh më tej Balla.

Socialisti dha edhe një mesazh me nënkuptim për të gjithë ata deputetë që janë votuar po nuk kanë lidhje me zonat e tyre dhe nuk dihet nëse ky mesazh është edhe për socialistët e tij.

“Ajo çfarë duhet të ndryshojmë rrënjësisht është që çdo qytetar duhet të dijë për kë ka votuar dhe duhet të ketë një lidhje të përditshme me atë që ka votuar.”, theksoi Balla.

Balla qeshi pas pyetjes së gazetarëve nëse lëvizja nga Qarku i Elbasanit që Rama vendosi për të ishte një shenjë që Rama i dha për fuqizimin e madh të tij.

“E para është që unë ju thashë, jam deputet i Elbasanit do të jem edhe drejtues politik i Qarkut të Fierit. Fieri është qark që ka 16 mandate, ku PS-ja ka marrë 9 mandate. Në fakt duhet një punë shumë e rëndësishme për të ruajtur do të thoja unë, do ta quaja performancën që ish-drejtuesi politik i Qarkut Fier, miku im i vyer Gramoz Ruçi ka pasur në atë qark për 3 mandate me radhë dhe ju lutem mos ngatërroni detyrat që burojnë nga fakti i të qenit deputet të atij të drejtuesit politik të qarkut. Pra një politikan i mençur duhet të dijë t’i bëjë të dyja në mënyrë rigoroze, qoftë marrëdhënien do ta quaja edhe prej shtetari me votuesin, por dhe marrëdhënien e ngushtë që douhet të kesh me gjithë organizimin dhe strukturën e Partisë Socialiste atje ku ti je vendosur të drejtosh.

Dhe në këtë këndvështrim unë jua thashë, të jesh drejtues politik i Qarkut Fier, secili prej nesh në karrierën e vet duhet ta ketë një hap do ta quaja unë në forcimin e vet si përfaqësues i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Kështu që dua t’ju garantoj ty e dashur Ambrozia, kjo nuk është një çështje kungujsh, por një çështje përgjegjësish.”, tha më tej.

“Ka ftohje mes jush dhe kryeministrit pas këtij vendimi? Vështirë ta besojë dikush që ju nuk jeni mërzitur me z.Rama”, e pyetën më tej gazetarët Ballën.

Ai u përgjigj: “E para dua t’ju them sepse ky është meraku im i vetëm: Unë do të mërzitem me kryesocialistin Rama nëse Qarku i Elbasanit nuk do të marrë investimet e nevojshme dhe të domosdoshme për të kthyer atë borxh që PS-ja i ka për mandatin e tretë.

Lidhur me qeverinë nuk kam asnjë koment përveçse mbështetje maksimale. Do t’ia kërkoj këtë çdo deputeti, sapo të mblidhet grupi parlamentar. Të gjithë ministrat meritojnë respekt.”, theksoi Balla.