Vendosni fjalën kyçe....

Trupa të shtrirë gjithandej, viktima e të plagosur që transportohen me karroca dore, ç’lanë pas sulmet jashtë aeroportit të Kabulit (Foto e video)


Dhjetëra persona janë vrarë e plagosur, përfshirë ushtarë amerikanë, në dy shpërthime të fuqishme që tronditën periferinë e aeroportit ndërkombëtar të Kabulit në Afganistan.

Në vendin e ngjarjes ka mbizotëruar kaosi, ndërsa trupa viktimash e të lënduarish janë transportuar drejt spitaleve të kryqqytetit afgan me karroca dore, mjete të tjera rrethanore e ambulanca.

Pentagoni konfirmoi se mes viktimave ka edhe ushtarë amerikanë ndërsa sipas talibanëve nga sulmi kamikaz kanë humbur jetën 13 persona, afganë e të huaj.

Ndërsa aeroporti po shërben si pika e vetme e evakuimit ajror të shtetasve të huaj e afganë nga vendi, sulmet e sotme sipas ministrit të Informacionit të talibanëve janë për të dëmtuar grupin që ka marrë drejtimin e vendit.

Ai tha më herët se e kishte paralajmëruar NATO-n për sulme të mundshme kamikaze në aeroportin e Kabulit. Sulmet dyshohet se janë kryer nga ISIS-K, një grup me lidhje me ISIS që njihet si kundërshtar i talibanëve.