Vendosni fjalën kyçe....

Kurti, Shqipëria, Amerika, dhe Vuçiçi


Nga Arbër Zaimi

Dje zëdhënësi i DASH, Ned Price ka shkruar shkurt e prerë se një Kosovë e shëndetshme, e qëndrueshme dhe e pavarur është një partner i fortë për SHBA, teksa promovonte ardhjen e një pjese nga 500.000 vaksinat që pres. Biden i ka destinuar për Kosovën. Mesazhit të tij i bëri jehonë stafi dhe faqet zyrtare të DASH.

Albin Kurti ka qenë i vetmi politikan i rajonit që haptazi e ka ushtruar ndikimin e tij te shqiptaro-amerikanët, në mbështetje të Bidenit gjatë zgjedhjeve.

Po dje, në aktivitetin për ardhjen e vaksinave në Prishtinë, km. Kurti e pres. Osmani dolën krah amb. Kosnett, në shenjë mirënjohje për mbështetjen dhe partneritetin, në fushën e shëndetësisë por jo vetëm.

Km. Kurti, dje sërish, mori pjesë në takimin me nënsekretaren Nuland, për çështjen e afganëve. Kurti i ka zhvilluar bisedimet me partnerët me diskrecion, dhe me fokus në shumë aspekte teknike, duke respektuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të vet, por edhe të atyre që mund të strehojë Kosova.

Kurti nuk e pa të udhës të mburret as me negociatat, as me strehimin e afganëve të përndjekur, sepse s’ka asgjë për t’u mburrur. Meritat le të merren në fund, nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, në një operacion delikat ku Kosova do të angazhohet aq sa e ka kapacitetin pritës, e jo më shumë sepse kjo nuk do të ishte mirë as për partnerët, as për të strehuarit.

Megjithatë disa altoparlantë të keqpërdorur nga Tirana, hedhin shashka. Pikërisht dje, thoshin se Kurti u izolua nga Amerika. Sigurisht, edhe ata e dinë se Amerika nuk flet përmes zgëqeve të tyre portalore, dhe as nuk shqetësohet fort për to, përveçse kur vendosen në funksion të agjendave propagandistike (portale nga Ballkani kanë prodhuar intensivisht fake news, në funksion të paguesve të panjohur, në fushata zgjedhore të vendeve perëndimore).

Si duket portalistët shqetësohen se mos Kurti ua prish sofrën perverse ku konsumojnë Shqipërinë tash e sa kohë, të gjithë bashkë oligarkë, gjyqtarë e politikanë të korruptuar, gazetarë servilë e spiunë. Dhe shqetësimin e tyre e shprehin: Kurti dëshiron t’i zërë vendin Ramës.

Le ta dinë ata se Kurti planin dhe synimin e ka të funksionalizojë e të forcojë Kosovën, dhe ky është mision kombëtar. Kurti nuk garon me askënd për primat (medaljet e arit le t’i marrin sportistët, artistët, shkencëtarët e studentët) kështu që le të mos shqetësohet asnjëri nga servilët e politikanëve që vuajnë nga ajo që Freudi e quan “narcizizmi i dallimeve të vogla”.

Albin Kurti e do Shqipërinë me vepra, jo vetëm me fjalë. Sivjet Kosova ka rritje ekonomike dhe rritje të të ardhurave nga tatimet e doganat (pra formalizim), edhe në raport me vitin 2019 të parakrizës. Sivjet Kosova për herë të parë importon më shumë nga Shqipëria se sa nga Serbia. Po ashtu, eksporton më shumë në Shqipëri se sa në Serbi. Kjo është politikë kombëtare, kështu lexohet “zemra” e një lideri.

Sa i përket provokimeve nga Vuçiçi, ato po intensifikohen. Sa më pak hapësirë ka në Bruksel Vuçiçi, aq më provokues bëhet. Asnjë politikan, biznesmen a gazetar shqiptar nuk duhet të bashkëpunojë me provokimet e Vuçiçit. Dhe mbi të gjitha, shqiptarët nuk duhet të bien pre e provokimeve.

Presidenti Biden ka treguar se luftën kundër korrupsionit dhe krimit në Ballkan e ka përnjëmend. Në korrik Biden e shpalli luftën kundër korrupsionit “a core national interest” të SHBA. Prandaj është e kuptueshme nervoza e Vuçiçit dhe e disave të tjerë, të cilëve po u publikohen aferat e po u digjen bashkëpunëtorët, e megjithatë nuk po nxjerrin dot as kokën mbi nivelin e moçalit të korrupsionit ku janë zhytur.

Si interpretohet ky qëndrim politik i Bidenit që e shpall luftën kundër korrupsionit interes themelor kombëtar? Interpretohet kështu: kokat e korrupsionit në Ballkan po kërkojnë strehë te Kina e Rusia, dhe po përpiqen të tregojnë dhëmbë destabilizues.