Vendosni fjalën kyçe....

‘Britania nuk do e paguajë divorcin me BE-në pa marrëveshje’ – Johnson pas takimit me Tusk


Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka thënë se Britania nuk do të duhet të paguajë faturën e divorcit prej 47.7 miliardë dollarësh që kërkohet nga Brukseli nëse largohet nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje.

Johnson i bëri komentet pasi takoi Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, në samitin e G7 në Francë.

Përpara takimit, mediat britanike po raportonin se Johnson do të përdorte takimin ballë për ballë për t’i thënë Tusk se Mbretëria e Bashkuar do të paguante vetëm një pjesë të shumës së rënë dakord nga paraardhësja e tij Theresa May, me media të ndryshme që citojnë shifra prej 11.05 miliardë dollarësh dhe 8.6 miliardë dollarësh.

“Mendoj se ajo që e kupton i gjithë Bashkimi Evropian është se nëse ne dalim pa marrëveshje, atëherë 47.7 miliardë dollarë nuk janë të detyrueshme me ligj,” i tha ai Sky News.

“Siç kam thënë më herët, shuma që do të kemi në dispozicion më 1 nëntor do jetë për t’u shpenzuar për të mbështetur fermerët tanë dhe për investime në të gjitha zonat.” – shtoi ai.