Vendosni fjalën kyçe....

“S’është koha për të njohur talibanët si sundimtarë të Afganistanit” – Sekretari britanik i Mbrojtjes


Sekretari i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, Ben Wallace, tha se Londra ende nuk ka vendosur nëse do të njohë militantët talibanë si sundimtarë legjitimë të Afganistanit, ndërsa qeveria është e përqendruar në evakuimet dhe është e gatshme për një rritje të emigrimit nga Afganistani.

Wallace u pyet nga Kay Burley i Sky News nëse ai pranon se talibanët kanë fituar luftën.

“Nuk e di nëse kjo është fitore. Unë e pranoj që talibanët kanë kontrollin e vendit,” tha sekretari. “Dua të them, nuk duhet të jesh politolog për të kuptuar se ku jemi këtu.”

Zyrtari tha se nuk ishte ende koha për të vendosur nëse Londra duhet të njohë talibanët si qeveri legjitime afgane.

“Unë mendoj se para se të vijmë në një vendim të tillë duhet të presim ende pasi shumë gjëra pritet të ndodhin ende,” shpjegoi Wallace.

Ai shtoi se Britania e Madhe duhet të punojë për të ‘mbrojtur njerëzit tanë’ në terren mes evakuimeve kaotike nga Kabuli, i cili u pushtua nga militantët të dielën.

Autoritetet britanike evakuuan 370 shtetas britanikë dhe stafin mbështetës afgan gjatë fundjavës, tha Wallace, duke shtuar se 782 afganë të tjerë do të transportohen me aeroplan brenda 24 deri në 36 orëve të ardhshme.