Vendosni fjalën kyçe....

Shporta bosh


Nga Hysni Gurra

Çmimi i bukës, e cila konsumohet shumë nga shqiptarët jo për çështje kulturore, por nga varfëria, u rrit. Shkoi 90 lek.

Çmimi i 10 kokrrave vezëve, jo fshati, vezë pularie ka shkuar 180-200 lek.

Çmimi i djathit ka shkuar 850-900 lek.

Po aq, 850-900 ka shkuar edhe mishi.

Një litër qumësht, jo qumësht fshati, por nga ai që e mban 2 javë hapur dhe s’prishet, ka shkuar 150-160 lek.

Perimet nga fshatari vazhdohet të blihen lirë, nga tregtari vazhdohet të shiten shtrenjtë, por nuk po jap çmim këtu pasi jam i mendimit se 1kg domate 100lek nuk janë shtrenjt, për të fituar dy lek edhe fshatari. Frutat po ashtu.

Uji për të pirë dhe për gatim sigurisht që blihet, 100lek 5 litra.

Tani, marrim nja familje prej 4 anëtarësh, e cila ka të ardhura mujore 60 mijë lek, dy paga minimale.

Minimalisht i duhen 1-1.5 bukë në ditë që bëjnë 135lek, 1 litër qumësht 150, 1 litër kos 150 bëjnë 300 lek, 10 kokrra vezë bëjnë 180lek, 2 bidona ujë nga 100 lek bëjnë 200 lek, vetëm këto që janë bazike, ushqime për të mbajtur frymën gjallë në vetëm një ditë, për këtë familje kushtojnë 135+300+180+200= 815lek.

Këto janë ushqime bazike, nuk mjaftojnë, secili të shtojë vetë perimet, frutat, mishin, djathin, makarona, oriz, vaj… e çfarë janë të nevojshme. Si mendoni e mbyll shpenzimin ditor me vetëm 815 lek kjo familje?

Po qira, ujë, drita, veshmbathje për fëmijë e të rritur?

Po minimalisht 2000lek në muaj i duhen telefon, po sikur të ketë edhe një makinë modeste, karburanti së cilës është 180lek litri?

A i del rroga 2 prindërve me paga minimale siç janë pothuajse 45-50% e familjeve shqiptare, familje me vetëm 2 fëmijë, familje e vogël dmth?

A mund t’ia dalë të përballojë shkollim fëmijësh, halle shëndetësore, vizita etj. një familje shqiptare me 2 paga minimale në shtëpi?

Po dy pensionistë të ardhurat e të cilëve shumica janë sa gjysma e kësaj familje, si ia dalin?