Vendosni fjalën kyçe....

Osmani ndan medaljen dedikuar djalit të Presidentit Biden


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një ceremonie shtetërore ia ka dorëzuar Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kossnett, për Beau Biden, djalin e Presidentit të ShBA-së, Joe Biden.

Ajo tha që angazhimi i presidentit amerikan Joe Biden për ta bërë vendin e tij dhe botën më të mirë është i pakapërcyeshëm, teksa foli fjalë të mëdha për djalin e ndjerë të tij, Beau-në, i cili pas luftës në Kosovë kishte shërbyer në trajnimin e prokurorëve vendës.

“Para se të shikojmë video-mesazhin e  Presidentit amerikan, do të doja t’i thosha disa fjalë për përshtypjen time për të ndjerin Beau Biden, duke e parafrazuar thënien e njohur se “njerëzit e mirë janë si qirinj, ata digjen për t’u dhënë dritë të tjerëve”, ka thënë Osmani në ceremoninë e sotme.

“Njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e ditur. Unë besoj, matja e vërtetë e një personi të mirë është ndikimi i përjetshëm që lë pas. Kjo nënkupton para së gjithash njerëzit që ju i frymëzoni, zemrat që i prekni dhe jetët që i ndryshoni pa qenë krejtësisht të vetëdijshëm për këtë”.

“I ndjeri Beau Biden ishte pikërisht i tillë. Ai është qiriu që u ka dhënë dritë kaq shumë njerëzve. Në ditët tona më të errëta, e gjithë familja Biden u ka dhënë gjithashtu dritë njerëzve të Kosovës”.

Kurse, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në video-mesazhin dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tha se familja Biden ndjehet mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës me të cilët Beau ra në dashuri me ta.

“Beau ka besuar aq thellë në pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Si avokat në kuadër të Departamentin Amerikan të Drejtësisë ai ishte vullnetar që të shkoj Kosovë dhe ta jap kontributin për pavarësinë dhe demokracinë tuaj por mbi të gjitha sundimin e ligjit”, tha Biden në video-mesazh dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.