Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet vendimi për Besim Hajdarmatajn, do jepet më 3 gusht


KPA-ja shtyn në 3 gusht vendimin për Besim Hajdarmataj.

“Do vijojë hetimi, kemi kërkuar dokumente shtesë”, ky është shpjegimi që jep KPA lidhur me konfirmimin ose jo në detyrë të prokurorit Besim Hajdarmataj.

ONM-ja nga ana tjetër sugjeroi shkarkimin e tij.

Besim Hajdarmataj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 16 Tetor, dy ditë pas seancës dëgjimore. Por sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit hetimet për të ishin të mangëta dhe më 5 dhjetorit kërkoi një rihetim të thelluar për kriterin e profesionalizmit dhe atë të pasurisë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Besim Hajdarmataj është prokurori që kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për akuzën e trafikut të drogës. Gjatë gjashtë viteve të fundit, të vetmet hetime ndaj politikanëve të lartë apo personave të krimit të akuzuar për lidhje me qeverinë, janë filluar gjatë kohës kur Prokuroria e Krimeve të Rënda drejtohej prej Hajdarmatajt, shkurt 2016 – maj 2018.

Përveç arrestimit të Tahirit, përmendim rastin e Emiljano Shullazit, kokaina në kontenierët në banane, grupi i Avdulajve, dosja 339 e zgjedhjeve në Durrës dhe ajo 184 e zgjedhjeve në Dibër.

Hajdarmataj u shkarkua kur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme erdhi Arta Marku dhe në vend të tij, vendosi Donika Prelën.