Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria rishikon me rritje planin e të ardhurave buxhetore me 16 milionë euro


Plani i të ardhurave buxhetore u rrit me 2 miliardë lekë ose rreth 16 milionë euro sipas ndryshimeve të fundit në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit. Ndryshimet akomoduan tejkalimin e planit te të ardhurave buxhetore përgjatë pese mujorit të parë.

Sipas statistikave fiskale arkëtimet buxhetore në periudhën janar-maj arritën në 191,6 miliardë lekë duke tejkaluar planin me 7.8 miliardë lekë. Mirëpo arkëtimet e mbara të 5-mujorin nuk e kanë bërë entuziaste qeverinë e cila rritur planin e të ardhurave më pak se të ardhurat shtesë që grumbulloi në raport me planin e periudhës.

Sipas aktit normativ të qeverisë, 2 miliardë lekë arkëtime shtesë pritet të gjenerohen nga: (+600 milionë lekë) nga Tatimi Mbi Fitimin, (+400 milionë lekë) nga akcizat, (+200 mln lekë) nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale dhe (+800) milionë lekë nga sigurimet shoqërore.

Edhe pse punësimi në tremujorin e parë të vitit 2021 numri i të punësuarve ishte rreth 33 mijë persona më i ulët se në të njëtën periudhe të vitit 2020, të ardhurat nga sigurimet shoqërore janë rritur. Shkak është bërë rritja e pagës minimale në 30 mijë lekë në fillim të këtij viti nga 260 mijë lekë që ishte më parë si dhe fakti që pjesa më e madhe e aatyre që humbën punën ishin në sektorin bujqësor, që nuk kanë peshë të lartë në të ardhurat nga sigurimet.

Rritja me 15 % e pagës minimale ka rritur të ardhurat nga sigurimet pasi gati 28 për qind e të punësuarve paguheshin më pak se 30 mijë lekë deri në fund të vitit 2019.

Më shume se nga rigjallërimi i ekonomisë të ardhurat shtesë në buxhet në pesë mujorin e parë të vitit u mbështeten nga rritja e importeve në disa artikuj, që për pasojë ndikuan në rritjen e të ardhurave doganore. Për pasojë burimet që gjeneruan rritjen e të ardhurave gjatë pesëmujorit nuk janë të garantuara për muajt në vijim.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 67.8 miliardë lekë, 12.9 miliardë lekë ose 23.5% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 1.2 miliardë lekë ose 1.8% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 5 mujorin e vitit 2021.

Sipas Analizës së 60 grup mallrave, 54.9% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zënë 7 produkte dhe përkatësisht: karburant importi me 23.7% të të ardhurave, cigaret me 12.5% të të ardhurave, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre zënë 6.1% të të ardhurave totale doganore, automjetet e përdorura me 4.4% të të ardhurave, plastika dhe artikujt 2.8% të të ardhurave, veshje tekstile 2.7% dhe ushqime të përgatitura 2.6% të të ardhurave.

Importet e karburanteve janë grupi që kanë udhëhequr rritjen e të ardhurave doganore që prej vitit 2020. Duke shfrytëzuar çmimet e ulëta në tregjet ndërkombëtare grosistët kanë rritur importet e karburanteve./ B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor