Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet se rrëmbeu 12-vjeçarin dhe e shfrytëzoi për të lypur, 50-vjeçarja në Sarandë mohon akuzat: Ishte shok i nipit tim


50-vjeçarja, Bukuroshe Muharremi ka mohuar përpara gjykatës se ka rrëmbyer 12-vjeçarin dhe e ka shfrytëzuar atë për të lypur në rrugë. Përpara togave të zeza, Muharremi ka thënë se ajo e ka strehuar në shtëpi, e ka ushqyer pasi ishte shok me nipin e saj të vogël dhe se fëmija i ishte prezantuar se nuk kishte prindër. Megjithatë, pavarësisht pretendimeve të saj, Gjykata e la në burg pa afat.

Report Tv ka sjellë sot foto të Muharremit, teksa shfaqet me pranga në duar, e rrethuar nga 2 efektivë policie. Ajo u arrestua 2 ditë më parë nga Policia e qytetit bregdetar me akuzën e trafikimit të të miturve.

“I mituri është njohur me nipin tim në të njëjtën moshë! Në rrethinat e Sheshit Skënderbej, aty kanë lëvizur nga sheshi te Liqeni Artificial. Kanë qëndruar dhe luajtur bashke aty. Natën e kanë kaluar në lulishte pranë sheshit Skenderbej. Fëmija u prezantua, qe nuk ka prindër dhe rri në rrugë. Nga që u miqësua me nipin tim nuk donte të largohej nga ne. Unë kisha blerë mallra për t’i shitur në Sarandë dhe po bëhesha gati të ikja. I mituri nuk ndahej nga nipi dhe mua dhe erdhi me ne. Në Sarandë rrime te lulishtja në Parkun Miqësia, aty kalojmë natën. Gjate ditës lëvizte në qytet me nipin ose vetëm dhe kthehej prapë në park. Nuk e vlerësova se duhet të njoftoja Policinë. Këto shpjegime i kam dhënë edhe në Polici, nuk e kam marrë më qellim të keq apo për ta shfrytëzuar.”– mësohet të ketë thënë ajo.

Ka qenë babai i të mitur që ka bërë denoncimin në media, ku fatmirësisht qytetarët, si edhe organet kompetente u vunë në lëvizje e duke bërë të mundur gjetjen e tij. 12-vjeçari kishte humbur që më 4 korrik, ku kishte dalë nga banesa e tij në Bathore, për t’u gjetur 3 ditë më pas teksa lypte në rrugë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Shqiptarja.com