Vendosni fjalën kyçe....

KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren e Apelit, Zegjine Sollaku


Shkarkohet nga detyra gjyqtarja e Gjykatës së Apelit në Tiranë, Zegjine Sollaku. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në këtë vendim, pasi zonja Sollaku nuk justifikonte dot pasurinë.

Gjyqtarja nuk ishte e pranishme në këtë seancë por u përfaqësua nga bashkëshorti i saj, ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, i cili ishte në cilësinë e avokatit.

Në seancën dëgjimore, KPK evidentoi pasaktësi në deklarime dhe mungesa burimesh financiare në vlerën totale 7 milionë lekë. Sipas raportit të Komisionit, bashkëshortët Zegjine dhe Theodhori Sollaku, kanë në pronësi 8 apartamente, te verifikuara nga hetimi administrativ, disa garazhe, si dhe dy makina.

Sollaku tha se sikurse ka rezultuar edhe nga hetimi administrativ, të gjitha transaksionet financiare janë kryer nga ana e tij, ndërsa e shoqja gjyqtare kishte qenë gjithmonë e fokusuar te detyra.

Trupa gjykuese që dha vendimin kryesohej nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.