Vendosni fjalën kyçe....

Avokatit të Trumpit i pezullohet e drejta e ushtrimit të profesionit edhe në Uashington


Avokatit personal të ish-presidentit Donald Trump i është pezulluar licenca e ushtrimit të profesionit në Uashington.

Siç shkruan CNBC, gjykata më e lartë e qarkut të Kolumbisë të mërkurën pezulloi Rudy Giulianin nga ushtrimi i avokatit në Uashington, në pritje të një procedimi disiplinor në Nju Jork.

Pezullimi nga Gjykata e Apelit e Qarkut të Kolumbisë u shkaktua automatikisht nga pezullimi që iu bë Giulianit muajin e kaluar në shtetin e Nju Jorkut.

Gjykata e Nju Jorkut, e pezulloi dy javë më parë përkohësisht licencën e avokatit, pasi arriti në përfundimin se ai kishte gënjyer kur kishte pretenduar se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin fituar nga Trump.
Sipas gjykatës, dëshira e Giulianit për të trumbetuar pretendime të rreme kërcënonte interesin publik dhe mund të minonte besimin e publikut në procesin zgjedhor.

Pezullimi në Nju Jork është i përkohshëm, në pritje të rezultatit të një seance të plotë dëgjimore disiplinore.

Kujtojmë se Giuliani ka mbajtur poste të larta më parë, pasi ka qenë kryebashkiak i Nju Jorkut si dhe një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë.