Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet apartamenti i padeklaruar i Sokol Ngresit/ KPK fshehu dokumentin kompromentues


Ditën e nesërme më 07.07.2021 gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Vlorës, z. Sokol Ngresi, pritet të përballet me trupin gjykues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku ndër të tjera do të duhet të japë shpjegime për ligjshmërinë e pasurive të tij.
Ky gjyqtar ka kaluar filtrin e parë të vetting-ut me sukses, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vlerësimin e bërë ka konstatuar se ai ka bërë një deklarim të saktë të pasurisë dhe nuk janë konstatuar elemente, që mund të ngrenë dyshime për fshehje apo deklarim të rremë prej tij. Sipas KPK-së deklarimet e subjektit janë të mjaftueshme dhe rezultojnë të sakta dhe në përputhje me ligjin.
Duket se, siç i ndodh shpesh në fakt Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i ka “shpëtuar” pa u vënë re një apartament i blerë nga z. Sokol Ngresi në vitin 2014, nga shoqëria “AFA Konstruksion” sh.p.k.
Bëhet fjalë për një apartament me sipërfaqe 113,43 m2, ndodhur në qytetin e Vlorës, në vlerën 68,000 (gjashtëdhjetë e tetëmijë) euro.
Redaksia jonë ka siguruar ekskluzivisht kontratën për blerjen e këtij apartamenti, së bashku me mandatet që faktojnë kryerjen e pagesave për blerjen e tij!
Në këtë kontratë (që me siguri është thjesht rastësi që nuk është shqyrtuar nga ana e KPK-së), është parashikuar edhe mënyra se si do të kryhej pagesa nga blerësi Sokol Ngresi. Konkretisht, rezulton se ky gjyqtar, në datën 26.02.2014 kur ka lidhur kontratën e porosisë ka paguar njërin këst prej 8,000 (tetëmijë) eurosh.
Nga mandatet e arkëtimit rezulton se janë kryer edhe pagesa të tjera, përkatësisht në vlerat 6,000 (gjashtë mijë) euro në dt. 27.05.2014 dhe 6,000 (gjashtë mijë) euro në dt. 29.09.2014.
Mandatet mbajnë firmën e vetë gjyqtarit, me nënshkrim origjinal, por pavarësisht kësaj, nuk janë deklaruar në asnjë moment nga ana e tij!
Për të bërë të mundur kalimin e këtij gjyqtari në shkallën e parë të vetting-ut, janë kryer dy analiza financiare, ku pasi u pa që me të dhënat e siguruara doli një rezultat negativ, u përsërit edhe njëherë, u bë analizë e po të njejtave fakte e prova, duke rezultuar në një rezultat pozitiv kësaj here!
Lind pyetja, a do të kemi përsëri një rezultat pozitiv në shifra të analizës financiare për këtë gjyqtar, në rast se përfshihen edhe këto shpenzime prej 20,000 (njëzet mijë) eurosh?
Mbetet për t’u parë nëse trupi gjykues i KPA-së do të vendosë konform ligjit, apo do të përfshihet edhe ai në vorbullën e korrupsionit dhe mungesës së profesionalizmit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit!
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNA