Vendosni fjalën kyçe....

Të gjithë kundër Viktor Orban, agjendë anti-LGBT apo konservatorizëm


 

Ne nuk kemi një ligj kundër homoseksualitetit në Hungari. Ne kemi një ligj që mbron prindërit dhe fëmijët. Gjithmonë është më mirë të lexosh së pari dhe pastaj të reagosh”-kështu e komenton Viktor Orban ligjin i cili ndalon promovimin e agjendës LGBT+ në shkolla.

Ligji i shumëdiskutuar i çuar përpara nga Partia Fidesz e krahut të djathtë konservator që drejtohet nga Viktor Orban dhe i miratuar nga parlamenti hungarez, është kundërshtuar nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.

Ligji ndalon “promovimin e homoseksualitetit” në moshat nën 18 vjeç dhe thotë se vetëm mësuesit e aprovuar nga qeveria lejohen të mësojnë edukimin seksual në shkolla.

Të gjithë kundër Orban

Në Bashkimin Evropian promovimi i agjendës LGBT+ është ndër pritoritetet kryesore të vendeve edhe më të fuqishme të unionit.

Ligji i Parlamentit hungarez duket se bie ndesh me agjendën e BE-së për këtë komunitet prandaj dhe reagimi i BE-së ka qenë kundër Orban.

Madje reagimi kundër Orban ka shkuar deri atje sa Kryeministri i Holandës Mark Rutte ka kërkuar që Hungaria të mos jetë më pjesë e BE-së. “Për mua, Hungaria nuk ka më punë në BE”, tha Rutte, duke arritur në një samit të udhëheqësve të BE-së në Bruksel.

Kjo është edhe shkalla më e lartë e reagimit dhe ashpërsisë për të kërkuar që një vend të largohet nga BE-ja për shkak të një ligji të miratuar në Parlamentin e votuar nga qytetarët e atij vendi.

Shtatëmbëdhjetë shtete anëtare të BE (Belgjikë, Holandë, Luksemburg, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Gjermani, Irlandë, Lituani, Spanjë, Suedi, Letoni, Greqi, Qipro, Itali dhe Austri) dhe disa organizata LGBT dhe të të Drejtave të Njeriut dënuan ligjin dhe e quajtën atë një shkelje të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian ka hapur procedurat ligjore kundër Hungarisë, me Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen duke e quajtur projektligjin “një turp”.

Ky reagim nuk e prapsur qëndrimin e Orban i cili ashtu si edhe në çështjen e refugjatëve nuk pranoi kushtet e vëna nga Brukseli.

Konservatorizëm apo populizëm?

“Populizmi” si një stil politik mbështetet në një kontrast midis një populli të virtytshëm dhe një elite të korruptuar. Në populizmin modern të krahut të djathtë, ajo elitë e korruptuar identifikohet tipikisht me pakicat dhe aktivistët socialë liberalë – grupe të pozicionuara si përmbysëse të traditave kombëtare, duke sulmuar moralin tradicional dhe duke shkatërruar karakterin kombëtar.

Shumë kujt mund t’i duket Orbanit politika anti-LGBT populiste dhe ndoshta në real-politikë përpjekja për të mbajtur dhe forcuar më tej pushtetit do të çonte të bëheshe edhe populist.

Dy janë politikat e mëdha për të cilat Orban është treguar populist siç mund ta quanin Evropiano Perëndimorët.

Politika anti-emigracion në 2015 me krizën e refugjatëve gjatë konfliktit të armatosur në Siri dhe tashmë ligji i ashtuquajtur anti-LGBT.

Opinioni publik dhe qasja ndaj LGBT-ve

Sipas një sondazhi të Eurobarometer të botuar në dhjetor 2006, vetëm 18 përqind e Hungarezëve të anketuar mbështetën martesën e të njëjtit seks, dhe vetëm 13 përqind njohën të drejtën e një çifti të të njëjtit seks për të birësuar, krahasuar me mesataren në të gjithë BE prej 44 përqind dhe 33 përqind, përkatësisht. Sidoqoftë, një sondazh i kryer një vit më vonë tregoi se 30 përqind e publikut hungarez mbështeste martesat e të njëjtit seks.

Sondazhi i Eurobarometer i marrë në 2015 sugjeroi se 39% e hungarezëve mbështesnin martesat e të njëjtit seks. Një sondazh më i fundit nga Qendra Kërkimore Pew, botuar në maj 2017, sugjeroi që 27% e hungarezëve ishin në favor të martesave të të njëjtit seks, ndërsa 64% e kundërshtuan atë. Mbështetja ishte më e lartë në mesin e njerëzve jo-fetarë (34%) dhe 18-34 vjeç (39%), në krahasim me katolikët (25%) dhe njerëzit e moshës 35 e lart (23%).

Në maj 2015, PlanetRomeo, një rrjet social LGBT, publikoi Indeksin e tij të parë të Lumturisë Gay (GHI). Burrat homoseksualë nga mbi 120 vende u pyetën për mënyrën se si ndihen për pikëpamjen e shoqërisë për homoseksualitetin, si e përjetojnë mënyrën si trajtohen nga njerëzit e tjerë dhe sa janë të kënaqur me jetën e tyre. Hungaria u rendit e 49-ta me një rezultat GHI prej 47.

Sipas një sondazhi të vitit 2017 të kryer nga ILGA, 64% e hungarezëve ranë dakord që njerëzit homoseksualë, lezbike dhe biseksualë duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta si njerëzit e drejtë, ndërsa 15% nuk ishin dakord. Për më tepër, 69% ranë dakord që ata duhet të mbrohen nga diskriminimi në vendin e punës. 13% e hungarezëve, megjithatë, thanë se njerëzit që janë në marrëdhënie të të njëjtit seks duhet të akuzohen si kriminelë, ndërsa 64% nuk ishin dakord. Sa i përket personave transgjinorë, 60% ranë dakord që ata të kishin të njëjtat të drejta, 64% besuan se duhet të mbroheshin nga diskriminimi i punësimit dhe një shumicë prej 48% besuan se duhej lejuar të ndryshonin gjininë e tyre ligjore.

Duke parë këtë përshkrim, nëpërmjet shifrave, që prej ardhjes në pushtet të Orban në vitin 2010 mbështetja dhe opinioni publik hungarez ka shkuar në mbështetje të komunitetit LBGT. Duket se populizmi i Orban kundër LGBT-ve nuk e ka ndihmuar që opinioni të ulet por përkundrazi është rritur dhe votat në vend që të uleshin sërish kanë shkuar në favor të tij duket se janë në përpjestim të zhdrejtë. Pra Oraban populist, sheh qëndrimin në rritje ndaj komunitetit LGBT, krijon politika anti-LGBT por sërish votat shkojnë në favor të tij.

Konservatorizmi i Orban

Shoqëria hungareze njihet për një etatizëm të caktuar. Njerëzit do të preferonin të mbështesnin një shtet aktiv sesa të jetonin me mungesën e një shteti. Këtë Orban dhe partia Fidesz e kanë shfrytëzuar dhe që prej marrjes së pushtetit kanë krijuar një politikë e cila ka shfaqur kundërshtinë ndaj konsensusit neoliberal dhe po shkon gjithnjë e më shumë në krijimin e një shteti dhe politike sa më sovraniste.

Qeveria e Orban është konservatore në ideologjinë e saj sociale. Ata kanë një pamje kristian-demokrate, mbështesin kishat kryesore historike (përfshirë komunitetin hebre), përhapin modelin tradicional të familjes gjë e cila dëshmon dhe pretendimi e ligji i kontestuar është për mbrojtjen e familjes tradicionale.

Politikat sovraniste, mbrojtja e vlerave të familjes tradicionale , mbështetja për kishat dhe katolicizmin, qasja e djathtë ekstreme e bëjnë Orban dhe qeverinë që ai drejton një konservator të theksuar.

Midis konservatorizmit dhe populizmit dhe dalja kundër agjendës LGBT e ka bërë Orban që të ketë të gjithë Evropën Perëndimore kundër./Klaudio Agolli-Hashtag.al