Vendosni fjalën kyçe....

Policia aksion në Seman, Darzezë dhe Divjakë – Bizneseve në bregdet u hiqen 799 shezlongë dhe 398 çadra (VIDEO)


Policia vijon aksionin për pastrimin e hapësirave bregdetare që janë zënë në mënyrë të paligjshme. Uniformat blu kanë zbuluar detaje nga në Seman, Darzezë dhe Divjakë, ku janë proceduar penalisht 13 administratorë subjektesh.

Gjatë këtij aksioni, këtyre 13 bizneseve u janë hequr gjithsej 799 shezlongë dhe 398 çadra.

Njoftimi i Policisë

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës janë 2 grupe FNSH, shërbime të Komisariatit të Policisë Fier dhe Divjakë, Policia Bashkiake, Inspektorati i Territorit të kontrollit dhe zyra e Tatimeve të bashkisë Fier, gjatë verifikimeve dhe kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme në territorin e plazhit në Seman, Darzezë dhe Divjakë, evidentuan 13 subjekte pa leje, 5 në Darzezë dhe 8 në Seman, ku janë hequr 799 shezlongë dhe 398 çadra.

Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u proceduan penalisht administratorët e lokaleve, shtetasit: D. S., S. B., T. Ç., A. V., K. S., D. S., V. P., I. B., Th. S., O. T., E. C., P. Z., L. T., për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme. Operacioni do vijojë edhe në ditët në vazhdim.