Vendosni fjalën kyçe....

“Ju ka marrë malli për mua” – Trump tallet me mediat, kritikon Biden e ‘pohon’ kandidimin e mundshëm në 2024-ën


Presidenti i 45-të Amerikan Donald Trump iu drejtua mbështetësve të tij në Wellington, Ohio të shtunën gjatë tubimit të tij të parë pas disa muajsh, duke e transmetuar atë në një platformë të re mediatike në internet për të kapërcyer censurimin e Big Tech.

Duke falënderuar ‘patriotët’ që morën pjesë në ngjarje për ‘pjesëmarrjen e pabesueshme’, Trump më pas sulmoi menjëherë administratën Biden.

“Pas vetëm pesë muajsh, administrata e Biden është tashmë një katastrofë e plotë.” – tha Trump teksa fliste për krizën e migrantëve në kufirin SHBA-Meksikë.

Ai pastaj kritikoi Biden edhe në politikën e jashtme, duke pretenduar se ‘Kina, Rusia dhe Irani po poshtërojnë vendin tonë’.

Trump gjithashtu përqeshi mediat ‘e lajmeve të rreme’, duke pyetur gazetarët e pranishëm në tubim: “A ju mungoj? Po ata i ka marrë malli për mua. Unë thashë që kjo do të ndodhte, në të vërtetë po prisja të ndodhte.” – shtoi Trump.

Sidoqoftë, disa rrjete të mëdha amerikane të lajmeve (CNN, MSNBC, Fox) vendosën të mos transmetojnë fjalimin e fundit të Trump, sipas Deadline, me vetëm C-SPAN që e transmetoi tubimin si pjesë e serisë së tij ‘Rruga drejt 2024’.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani