Vendosni fjalën kyçe....

“Ambulanca nuk erdhi kurrë, mjeku m’u kthye: Rri urtë se të lashë fare”-Rrëfimi i të plagosurit në Sarandë


Marin Jano është i riu, kalimtar i rastit, i plagosur në atentatin e disa ditëve më parë në Sarandë ndaj pronarit të lokalit Orange. I gjendur mes plumbave ndërsa kishte shkuar te pushonte në Sarandë, plagosja pa asnjë faj nuk ishte më e keqja që i ndodhi.

Ai rrëfen në këtë letër dërguar kryeredaktorit në DITA, çfarë i ndodhi më pas. Ai e ka titulluar rrëfimin e tij në mënyrë ironike “A ta boj dhe unë i pytje? A ke mo pytje?”.

Çdo mjeku që është marrë me këtë rast duhet t’i vij turp për sjelljen e tij. Jetojmë kohë të vështira, të gjithë kemi ngarkesat dhe problemet tona, por askujt, aq më pak një mjek apo një infermier nuk duhet t’i lejojë vetes të sillet si lacat e rrugëve që na janë shtuar shumë së fundmi.

Nga Marin Jano

Kam pasur gjithmonë një respekt e vlerësim të madh për punën e mjekëve e të infermierëve, të cilët kanë në dorë shëndetin dhe jetën tone. Unë vetë kam në familje një prej njerëzve me te dashur, gjyshen, e cila ka qene mjeke dhe ka nxjerrë përgjatë më shumë se 30 vjetëve me mijëra mjekë si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë (pa harruar dhe një njeri tjetër të afërt timin, që është aktualisht mjek).

Në momentet kur humanizmi i tyre, ndershmëria, profesionalizmi, serioziteti është vënë në diskutim, i kam mbrojtur me vendosmëri duke pasur parasysh, me sa duket, modelet e gjalla të mjekëve që kam në familjen time. Por, pas asaj që më ndodhi fundjavën e kaluar, ku m’u desh të përballesha drejtpërdrejt me shërbimin tonë mjekësor, gjithçka m’u përmbys.

Kisha vendosur ta lija vapën mbytëse të Tiranës për të kaluar nja dy ditë në bregdetin e bukur të Sarandës. Duke u gdhirë 20 qershori, teksa po dilja bashkë me të dashurën nga një lokal i njohur në qendër të qytetit, u ndodhëm sa hap e mbyll sytë në mes të një shkëmbimi zjarri me pistoleta e kallashnikovë. Një skenë që vetëm nëpër filma aksion e kisha parë.

U shtrimë menjëherë në tokë dhe, duke tentuar të futeshim poshtë një makine për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave, u plagosa në pjesën e fund shpinës. Ashtu i plagosur e duke u zvarritur u riktheva në lokal për t’i ikur më të keqes e për të kërkuar ndihmë. Meqenëse askush nga klientët e lokalit, por dhe ata të shërbimit nuk m’u afruan, kujtoj t’i kem telefonuar vetë 2-3 herë urgjencës (112) dhe policisë (129). Urgjenca fillimisht nuk m’u përgjigj në telefon, kurse policia po.

Ndërkohë që gjaku rridhte e nuk dinte të mbaronte, duke shtypur plagën fort me dorë për të ndaluar hemorragjinë e teksa mundohesha të ruaja qetësinë, vazhdoja t’i bija numrit të urgjencës. Dikur u përgjigjën e, ndërsa operatori më thoshte se ambulanca po vjen menjëherë, ajo nuk dukej e as dëgjohej kurrkund. Kaluan kështu mes ankthit e frikës gati 20 minuta, por ambulanca, sa isha aty, nuk erdhi kurrë.

Siç më thane më pas, distanca mes vendit ku unë gjendesha, dhe spitalit s’ishte as 5 minuta larg me makinë. Dola atëherë përsëri jashtë lokalit, ku u gjendën dy djem trima, njeri prej të cilëve taksist, që më mori e me dërgoi me urgjencë në spital.

Në gjendje shoku e me forcat që po më linin, kujtoj, megjithatë, që me shtruan në dhomën e urgjencës, ku nisën të më bënin serume, injeksione dhe më pas një skaner. Pas gati një ore më konfirmuan se isha plagosur me armë zjarri dhe duhet të nisesha me urgjencë në Tirane për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale për te hequr plumbin, që më ishte futur rreth 10 cm ne trup. Me të mbërritur në spitalin e Tiranës, përsëri skaner e më pas 3 orë në pritje të operacionit.

Ndërkohë që prisja, fillova të pyesja mjekun për gjithçka më shqetësonte lidhur me shëndetin, me jetën time, me operacionin. Pas gjithë asaj që kishte ndodhur, isha i traumatizuar. Mjeku, me sa duket, u bezdis shume nga pyetjet e mia, saqë në një moment m’u kthye: “Do rrish urtë apo ta le fare? Ik në vend tjetër po deshe dhe bej analizat dhe operacionin”.

U shtanga, pasi nuk e prisja një përgjigje të tille. Kujtoj që i thashë: “Doktor, mundohu të tregohesh pak empatik dhe të më kuptosh! Vere veten në pozitën time për një moment!“. Fjalët e mija ranë në vesh të shurdhër. Me mire të mos flisja fare dhe të gjithë frikën, presionin, ankthin ta mbaja përbrenda.

Atë bëra, në fakt, e qepa gojën, s’fola më dhe prita deri sa më futën në sallë pas tre orësh. Operacioni shkoi mirë dhe plumbi u hoq. Aty nga pasditja më çuan në një dhomë në repartin e kirurgjisë, në katin e fundit, nën një tarracë përvëluese, mes dritaresh e dyersh të hapura kanat, ku nuk gjeje një kondicioner për be.

Në atë nxehtësi sahariane ndejta 2 netë e 3 ditë. Gjate kësaj kohe mjeku kaloi nga dhoma ku isha shtruar, vetëm një here për pak sekonda dhe në këmbë. Një here tjetër komunikuam në dhomën, ku ai rrinte, ku kisha shkuar t’i kërkoja disa dokumente, me idenë për t’u transferuar ne një spital privat. “Unë t’i jap letrat, por herë tjetër ik direkt në spital privat e mos hajde të operohesh këtu”, më tha gjithë nervozizëm.

Ngela pa gojë. Të gjithë e dimë se, kur aksidentohesh, kur plagosesh me arme zjarri, me thike, nuk ka asnjë spital privat që të merr përsipër, pasi të tilla ndërhyrje kryhen vetëm ne spitalet shtetërore të specializuara. Gjithsesi, mjeku që këtë gjë e dinte, nuk hezitoi të ma thoshte.

Sa për infermieret, fytyrat e tyre të ngrysura e indiferente binin në sy që larg. Punën e bënin, por e bënin sikur u kishe ndonjë borxh. Të dukej sikur i kishin sjellë me zor në atë punë. Kurrfarë përkujdesje të natyrshëm, devocioni, empatie, mirësjelljeje.

Kulmi arriti natën e parë pas operacionit, kur njërës prej tyre i kërkova të përdorja vetëm për një here tualetin e stafit, pasi ai në dispozicionin tone si pacientë kishte probleme. Por përgjigjja që mora, ishte: “ Pse mër çun m**** tat do pastroj unë?! Shko përdor banjën tate”.

Ngela pa fjalë dhe ika kokulur, pa thënë gjysmë fjale. Në atë mori infermierësh dallonin, për fat, edhe nja dy, një grua dhe një burrë, rreth të pesëdhjetave, që ishin si nata me ditën me të tjerët. Profesionalizmi i tyre, kujdesi, përkushtimi, ishin të pashoq. Pyetjeve e shqetësimeve që kisha, u pergjigjeshin pa hezitim e pa kurrfarë shenje bezdisjeje e përtese. Njerëz të tillë të mbajnë shpresën e besimin gjallë se njerzëillëku e profesionalizmi nuk janë varrosur përfundimisht në këtë vend.

Pas 3 ditësh, që m’u dukën si 3 vjet, qëndrimit tim në spital i erdhi fundi. Shkova të takoja mjekun e të merrja anamnezën bashkë me këshillat dhe mjekimin, që do të vazhdoja në shtëpi. Meqenëse ai thjesht më zgjati letrën ku kish shkruar gjithçka lidhej me mua, tentova të komunikoja duke i bërë disa pyetje. Përsëri e shfaqi hapur bezdinë, edhe pse me kthehu përgjigje, natyrisht në mënyrën e tij.

“Faleminderit, doktor”, i thashë dhe bërë të largohesha, kur zëri i tij më ndali: “Me fal, a ta boj dhe unë i pytje?”. “Po, patjetër, doktor”, iu përgjigja habitur. “A ke mo pytje”, ma ktheu me një nënqeshje ironike. “Jo, nuk kam me pyetje, doktor”, ia ktheva dhe u largova.

Të njohur e miq te familjes më thonë: “Hë, se filani e ka gojën e hidhur, po si mjek është shumë i zoti”. Mendoj se të jesh mjek, mbi të gjitha duhet të jesh i sjellshëm, i komunikueshëm, njerëzor, empatik. Përndryshe e bën pacientin të ndihet si viçi i radhës te kasapi, ashtu si u ndjeva dhe unë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazeta Dita


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *