Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria përsëri pa një datë për çeljen e negociatave


Përsëri nuk ka negociata për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Lajmi u konfirmua ditën e djeshme nga sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane të Portugalisë, Ana Paula Zacarias. Ministrja portugeze tha se u vendos që të shtyhet data për Konferencës e Parë Ndërqeveritare.

”Ne e nisëm ditën me bisedimet për zgjerimin. Fatkeqësisht, pavarësisht të gjitha përpjekjeve tona, ishte e pamundur që të arrijmë një dakordësi për mbajtjen e kornizën e negociatave dhe mbajtjen e Konferencës së Parën Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne shpresojmë se presidenca sllovene do të mund të arrijnë në përcaktimin e datës. Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një pjesë jetike e Bashkimit Evropian.”- tha Zacarias e cila shtoi se nga ana tjetër u vendos për mbajtjen e Konferencës së Parë ndërqeveritare për Serbinë dhe Malin e Zi.

Shkak është bërë veto-ja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, nga e cila e pësoi dhe Shqipëria.

Më pas, Ministria e Jashtme e Bullgarisë e konfirmoi qëndrimin që mbajti dje në Këshillin për çështjet e përgjithshme të BE për negociatat e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Zv.ministri punëve të jashtme, Rumen Alexandrov ka përfaqësuar Bullgarinë ku ka theksuar se zbatimi i Marrëveshjes së Fqinjësisë duhet të jetë kusht për Maqedoninë e Veriut për hyrjen në BE.

Po ashtu Bullgaria ka lënë të hapur mundësinë për dialog dhe zgjidhje reciproke në Presidencën sllovene të BE e cila nis në korrik.

“Bullgaria konfirmoi qëndrimin e saj për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë mbledhjes së sotme të rregullt të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (SOV) në Luksemburg, ndërsa është e hapur edhe për dialog konstruktiv me Presidencën e ardhshme Sllovene të Këshillit të BE-së për të gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme bullgare.

Ndërkohë nuk ka munguar vlerësimi për Shqipërinë: “Bullgaria vlerësoi arritjet e Shqipërisë në procesin e reformës dhe riafirmoi mbështetjen e saj për miratimin e kornizës negociuese të vendit.”

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi thotë se puna gjithsesi do të vijojë në Presidencën sllovene të BE e cila nis në korrik, për të përmbyllur edhe këtë çështje.

“Kur bëhet fjalë për Shqipërinë & Maqedonia e Veriut, shumë terren u mbulua gjatë muajve të kaluar, me përparimin e dukshëm të arritur. Ne jemi në shtrirjen e fundit dhe do të vazhdojmë të punojmë me Presidencën sllovene të BE  për ta përmbyllur atë: ne duhet të hapim Konferencat e I-rë Ndërqeveritare me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut si një çështje përparësie.”- tha Varhelyi.

Cilat kanë qenë reagimet?

 Për Teuta Vodon, sekretaren për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, vendimi i sotëm nga ministrat e jashtëm të BE ishte një lajm që pritej.

Ndërsa ishte e ftuar në emisionin ‘Repolitix’ u shpreh se Shqipëria i kishte plotësuar të gjitha detyrat e saj që i janë kërkuar nga BE.

“Ishte një lajm që pritej për fat të keq. Nga njëra anë ne deri diku jemi të lehtësuar përsa i përket detyrave që kemi bërë. Ishte hera e parë që të gjitha vendet anëtare shprehen dakord, ashtu siç sa është e vërtetë që u votua në parlamentin holandez pro çelejes së negociatave për Shqipërinë. Kjo është padyshim sukses, tregon që nga  pala shqiptare janë bërë të gjitha detyrat, por tregon nga ana tjetër të gjithë kompleksitetin e familjes europiane.”- tha Vodo.

Ndërkohë nga Maqedonia e Veriut ka reaguar vetë Zoran Zaev në një postim në Facebook, ku shkruan se vendi i tij i ka përfunduar me sukses reformat e dala nga agjenda evropiane.

“Maqedonia Veriore përfundoi me sukses reformat që u shënuan si obligim nga agjenda evropiane. Ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë dhe kryetari aktual i OSBE-së, An Linde, ka sjellë mbështetje të qartë nga Suedia për aspiratat evropiane të Maqedonisë Veriore. Jemi të nderuar që do ta udhëheqim OSBE-në në vitin 2023, është njohje e kontributit të Maqedonisë Veriore si funksionim i demokracisë shumë-etnike. Me përvojën që kemi në zgjidhjen e problemeve dhe çështjet e hapura, do të kontribuojmë në gjetjen e zgjidhjeve në sfidat.”- shkruan Zaev.

 Nga kryeministri Edi Rama ende nuk kemi një reagim zyrtar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *